Në 24 mars 1999 filluan bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavinë, kurse në fakt ishte kundër Serbisë dhe Malit të Zi. Bombardimi ishte një moment historik jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë dhe NATO-n, shkruan foldrejt.com.
Pas vrasjes së rreth 12 mijë shqiptarëve të Kosovës dhe zhvendosjes së rreth 90 përqind të banorëve të saj, NATO e pa të arsyeshme që të fillojë bombardimet mbi Beograd – pavarësisht se nuk kishte dritën jeshile të OKB. Në fakt, është e vërtetë se nuk ishte “legale”, por është fakt që ishte sulmi më i drejtë i mundshëm – ashtu siç do thoshte edhe Martir Luther Kingu se kur shkel ligjin e padrejtë, ke respektuar ligjin.
Kthesa Masakra e Srebrenicës dhe Masakra e Reçakut
Ajo që nuk duhet kurrë të harrojnë vendet e Ballkanit dhe Europa në përgjithësi, janë dy masakrat që bënë edhe kthesën te Komuniteti Ndërkombëtar. Pas Masakrës së Srebrenicës ku u vranë pa asnjë arsye, por vetëm se kishin mbiemra muslimanë, rreth 8000 mijë burra, gra dhe fëmijë muslimanë, Perëndimi u zgjua dhe nën zë premtoi se kurrë nuk do lejonte që një gjë e tillë të përsëritej.
Vite më pas, në fillim të 1999 ndodhi edhe Masakra e Reçakut, që sot pas 20 vjetësh mediat dezinformative ruse po mundohet ti japin një kahje tjetër. Në Raçak ishin varrosur 45 persona me veshje civile. Serbët kishin kaluar cakun dhe linjën e kuqe.
Lapideri i zi i Millosheviqit
Është e vërtete se Sllobodan Millosheviqi është ndër udhëheqësit më kriminal serb, i cili ishte në krye të gjithë masakrave dhe vrasjeve kundrejt etnikumeve tjera në ish Jugosllavi. Por ai me vendosmërinë e tij për Serbinë e madhe, i kreu edhe një “nder” të zi shqiptarëve.
Në 3 qershor 1999, presidenti finlandez Martti Ahtisaari – si përfaqësues i Perëndimit – dhe i dërguari i Rusisë, Viktor Çernomyrdin, i paraqitën një plan Millosheviqit. Ishte shansa e fundit e Serbisë për të pasur sado pak në kontrollë Kosovën. Millosheviqi pyeti të dërguarin rus nëse kishte ndonjë plan më të mirë, por Çernomyrdin tha se “kjo ishte mundësia e fundit dhe më e mira e mundshme”. Millosheviqi e mohoi planin që ishte i ngjashëm me atë të Rambouillet dhe shtatë ditë më vonë kapitulloi. Forcat serbë do dilnin nga Kosova dhe nuk do ktheheshin kurrë.
Tashmë është detyra jonë, që të luftojmë korrupcionin për hir të gjithë atyre dëshmorëve, të respektojmë konkurrencën e lirë – duke i dhënë secilit vendin që i takon dhe në fund të punojmë për të ardhmen dhe të mos e harrojmë të kaluarën./Foldrejt.com