Sindikata e Bashkuar e Arsimit e Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), pas numërimit të votave të anëtarësisë, fundjavën e kaluar, mori vendim për ndërprerje të grevës dhe fillim të procesit mësimor, pas një muaji grevë, shkruan Fol Drejt.
Ndërkohë që SBASHK-u ka paralajmëruar se nuk do të ketë zëvendësim të orëve të humbura, ministrja Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se ministria që ajo drejton do të formojë sot një grup punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen riplanifikimet në shkolla.
“Janë shpërndarë të gjitha tekstet në komuna e shkolla sipas kërkesave të drejtorive komunale të arsimit, ndërsa teksti i Gjuhës Shqipe, Klasa e pestë, tekst i ri i hartuar këtë vit, do të dërgohet brenda kësaj jave në shkolla”, thuhej në njoftimin e MASHTI-t.
Greva në arsim kishte nisur më 25 gusht, me kërkesat për 100 euro shtesë deri në hyrjen fuqi të ligjit të pagave, gjë e cila është hedhur poshtë nga Qeveria, e cila ka ofruar një zgjidhje prej 50 eurosh, me premtimin se një gjë e tillë do të shikohet të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm në varësi të shkallës së inflacionit.
SBASHK-u të shtunën mori vendim për pezullimin e grevës deri në janar të vitit të ardhshëm, ndërkohë janë duke e pritur Projektligjin për Paga, i cili është në fazën e konsultimeve publike. Miratimi i tij, do ta shmangte një krizë tjetër në arsim./FolDrejt/