Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës deputetët do të mblidhen për të debatuar për çështjen e grevës. Punimet kjo seancë pritet t’i fillojë në orën 11:00, ndërsa në rend të ditës janë pikat e papërfunduara të 15 shtatorit, shkruan Fol Drejt.
Greva e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), është ndër pikat që pritet të marrin vëmendje më të madhe.
Po ashtu, në rend dite janë edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe raportet vjetore të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021, atyre të Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020.
Pikë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Noterinë, si dhe shqyrtimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.
Në seancën e sotme plenare janë paraparë për diskutim edhe pikat e papërfunduara nga seanca e 4 gushtit 2022, etj./FolDrejt/