Sot pritet të mbahet takimi i radhës i Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, raporton Fol Drejt.
Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një njoftimi zyrtar nga Zyra për Komunikim Publik (ZKM), në kuadër të Qeverisë së Kosovës.
“Ju njoftojmë se sot, me datë 01.06.2022 duke filluar nga ora 15:00, kati 0, salla P-38, në Ndërtesën e Qeverisë, me rastin e 1 Qershorit-Ditës ndërkombëtare të Fëmijëve, do të mbahet takimi i radhës i Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve.
Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve udhëhiqet nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e tij, Albin Kurti. Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve është krijuar për të komunikuar dhe bashkërenduar politikat, programet dhe proceset në lidhje me çështjen e të drejtave të fëmijëve brenda Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe për të lehtësuar realizimin e të drejtave të fëmijëve dhe për t’iu ofruar atyre mundësi të barabartë për pjesëmarrje aktive në shoqëri.
Takimi do të na shërbejë për lansimin e Raportit për Zbatim të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, raportit “Zëri Ynë” të hartuar nga fëmijët, për të bashkëbiseduar me fëmijët e pranishëm, si dhe për të diskutuar çështjet më me rëndësi drejt jetësimit të të drejtave të fëmijëve, në përputhje me obligimet që rrjedhin nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, legjislacioni në fuqi dhe dokumentet strategjike” – thuhet në njoftimin zyrtar./FolDrejt/