Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër proçesin e vaksimit me njësitë e lëvizshme në zonën e Shkozës, në periferi të Tiranës. Manastirliu tha se përgjatë periudhës së verës do të jemi derë më derë, për të vaksinuar qytetarët me njësitë e lëvizshme, edhe në ato zona ku aksesi ka qenë i pamundur deri tani.
“Përgjatë gjithë verës ne do të jemi derë më derë, duke vijuar fushatën tonë të vaksinimit edhe nëpërmjet njësive të lëvizshme. Po shkojnë në zonat e thella të vendit, duke mundësuar që të kemi një rritje të mbulesës vaksinale për grupmoshat e përcaktuara”, tha Manastirliu.
Duke bërë me dije se gjatë muajve korrik-gusht do të mbërrijnë rreth 500 mijë doza të tjera vaksinash, Manastirliu tha se sot pritet të vijnë mbi 18 mijë vaksina Pfizer.
Ministrja e Shëndetësisë tha se do të intensifikohet procesi i vaksinimit, duke bërë me dije se ditët e hapura të vaksinimit do të vijojnë përgjatë korrikut dhe gushtit, për qytetarët mbi 18 vjeç.
Drejtoresha e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami u shpreh se vaksinimi me njësitë e lëvizshme do të shtrihet me shtatë njësi lëvizëse në të gjithë territorin, duke rritur aksesin për qytetarët. Ndërsa drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, prof. Albana Fico u shpreh se është shumë e rëndësishme që qytetarët t’i kryejnë të dy dozat e vaksinës, për të siguruar efektivitetin e nevojshëm për t’u mbrojtur nga COVID19.
Nga fillimi i procesit të vaksinimit janë kryer 1,022,802 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 434,926 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.