Në Itali sot pritet të mbahet një takim mes aktorëve të politikës dhe përfaqësuesve të futbollit, ku pritet të merren vendime të rëndësishme për fatet e sezonit 2019-2020 i ndërprerë në fillim të marsit për shkak të pandemisë Covid-19, transmeton SuperSport Albania.
Ministri i Sporteve Vincenzo Spadafora, Kreu i Federatës Italiane të Futbollit Gabriele Gravina, kreu i Komisionit Mjekësor, Paolo Zeppilli dhe përfaqësues të ligave të Serisë A, B dhe atyre më të ulëta janë pjesëmarrësit në takim të cilët do të duhet të dalin me një vendim në fund të mbledhjes.
Sipas agjendës, do të diskutohet pikë për pikë protokolli i propozuar nga Komisioni mjekësor pranë federatës italiane, për t’u ndjekur nga të gjithë klubet për të shmangur përhapjen e koronavirusit.
Gjithashtu pritet të lexohen me vëmendje edhe sugjerimet e Këshillit Shkencor që po menaxhon gjendjen e krijuar në Itali dhe më pas do të vendoset nëse skuadrat do të nisin stërvitjen më 4 maj, apo gjithçka do të lihet sërish pezull.
Vetë kreu i Federatës Italiane, Gabriele Gravina pati deklaruar disa ditë më parë se dëshiron që sezoni të përfundojë për shumë arsye, por mbi të gjitha për ato ekonomike, por se barrën e vendimit do të duhej ta mbante qeveria italiane.
Nga ana tjetër, ditën e djeshme Ministri i Sporteve Vincenzo Spadafora deklaroi se është fans i futbollit dhe dëshiron që kampionati të nisë sa më shpejt, por fillimisht duhen marrë në konsideratë shumë faktorë e mbi të gjitha ai i shëndetit të njerëzve.