Pas marrëveshjes së Ohrit të arritur në parim, sot në Bruksel do të zhvillohet takimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Fol Drejt.
Ky takim do të zhvillohet në nivel të kryenegociatorëve. Kosovën do ta përfaqësojë Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ndërsa Serbinë Petar Petkoviq.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë theksuar se presin që palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve, ashtu siç janë pajtuar në Bruksel dhe në Ohër.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se shpreson
“që ajo që kemi qenë dëshmitarë gjatë ditëve të fundit, sidomos në Kosovë dhe në veri nuk do të ketë ndikim në takimin e nesërm. Takimi i kryenegociatorëve nesër është i rëndësishëm sepse ata do të diskutojnë. Ata do të takohen në fakt për herë të parë zyrtarisht pas marrëveshjes së Ohrit dhe do të punohet dhe diskutohen hapat e nevojshëm për zbatimin e zotimeve që dalin nga marrëveshja dhe aneksi i saj.”
Së fundi ai ua ka kujtuar palëve që kanë rënë dakord që të jenë konstruktive dhe ta jetësojnë marrëveshjen e arritur në parim në Ohër.
“Pra, ka një angazhim të qartë, pranim të qartë nga të dyja palët se ata pranojnë marrëveshjen dhe aneksin, dhe ata marrin një angazhim politik për të filluar zbatimin e saj. Pra, çdo diskutim për nënshkrimin ose jo është krejtësisht i kotë, sepse ajo që duhet tani është përmbushja e zotimit, dhe zotimi ishte shumë i qartë, zotim për zbatim” – ka thënë Stano./FolDrejt/