Sot në Kosovë do të jetë ditë zie kombëtare në nderim të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë pas një sulmi të organizuar nga një grup kriminal ende i paidentifikuar saktë për organet e rendit.
Gjithçka filloi në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, kur një grup i armatosur rëndë në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – qëlluan me armë zjarri mbi trupat e Policisë së Kosovës, duke shuar jetën e një zyrtari policor, përcjell Fol Drejt.
Grupi që ngriti në nivele të larta shkallën e egërsisë në veri, sipas autoriteteve kosovare, nuk ka qenë në përbërje të civilëve të rëndomtë që ngrenë krye herë pas here në këtë zonë, por ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë serbë.
“Sulmi ka ardhur dhe po vazhdon akoma nga njësitet profesionale të përgatitura dhe me një përbërje prej mbi 30 personave, të uniformuar, të maskuar dhe të pajisur ushtarakisht, me mjete të blinduara dhe armë të rënda të llojeve të ndryshme”, tha paraditen e së dielës Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Svecla, përmes një kumtese në rrjete sociale.
Pjesëtarët e këtij grupi, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së tre policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë./FolDrejt/