Rruga e 8 skuadrave më të forta të konti nentit do të shtrohet sot në orën 12:00 me shortin që do të mbahet në Nion të Zvicrës. Është shorti i fundit i këtij sezoni dhe në selinë e UEFA-s do të kompletohen katër duelet e çerekfinaleve, por edhe gjysmëfinalet e mundshme.
Kupa do të dorëzohet në “Stade de France”, të Parisit më 28 maj pas spostimit të finales nga Shën Pjetërburgu në Rusi, prej nisjes së konfliktit MoskëKiev.
Dominojnë anglezët, por edhe spanjollët me 3 klube secili. Yjet e Italisë jashtë, ashtu si një sezon më parë. Nuk janë më Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi, por as Kilian Mbape dhe Erling Haland, ata që pritet të dominojnë skenën e së ardhmes. Por do të jetë e njëjta garë mes yjeve të tjerë.
Pastaj është shkenca e Çelsit të Tomas Tuhelit dhe karakteri i luftëtarëve të Simeones. Nuk duhet harruar as Benfika që të gjithë do të kërkojnë ta kenë në shortin e tyre ideal, ose Vijarealin që shpresojnë të jetë ngopur deri këtu, por kudo cilësia është shumë e lartë.
RREGULLORJA – Gjithçka është e mundur, përfshirë derbet e anglezëve dhe spanjollëve. Nuk ka më ndarje në vazo, shorti është i lirë dhe do të luhet më 5 dhe 15 prill në një javë, ashtu siç do të ndodhë me gjysmëfinalet, pa atë shtrirjen e gjatë të 1/8-ave.
Dëmtimet apo kalendari i ngjeshur mund t’i ndryshojë dinamikat. Çfarë çmendurie do ishte një Siti-Liverpul që do të luajnë titullin e Premier Ligës edhe në 10 prill në “Etihad”. Por le të lëmë goglat më mirë të flasin…/Panorama/