Botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora do të kenë mundësi të prezantojnë punën e tyre në Panairin e Librit në Prishtinë, që këtë vit shënon edicionin e 22-të.
Ky Panair që nuk ka qenë aktiv për dy vjet, si pasojë e pandemisë Covid 19-të, këtë vit pritet të shënojë një rikthim të fuqishëm me rreth 100 botues pjesëmarrës. Kjo është një mundësi e mirë si për shtëpitë botuese që të promovojnë veten, si dhe për lexuesit të cilët njihen më nga afër me tituj të ndryshëm dhe përfitojnë nga çmime të arsyeshme dhe zbritjet si ekskluzivitet për Panairin. Këtë vit do të promovohen rreth 8000 tituj, prej tyre 6000 tituj të ri botuar në vitet e fundit.
Panairi i Librit pritet të hapet sot nga ora 12:00 në Pallatin e Rinisë, me organizimin e Shoqatës së Botuesve të Kosovës dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë të fushave të ndryshme: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Midis tjerash koloriti i këtij ambienti do të pasurohet edhe me praninë e shkrimtarëve ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë./FolDrejt/