Ukë Gjonbalaj i cili ndërroi jetë më 25 nëntor në New York, pritet të varroset sot, shkruan Fol Drejt.
Varrimi i atdhetarit Gjonbalaj, do të bëhet të hënën në Ora 11:30 AM, në: Jersey Garden Memorial, adresa 13 Conover Road, Millstone NJ.
Ai u lind më 1 Janar të vitit 1961, në fshatin Vuthaj të Gucisë. Vdiq, siç u tha në një kumt familjar, pas një sëmundjeje të rëndë.
Gjonbalaj u shqua për virtytet e tij të larta intelektuale, aktivizmin e dalluar brenda komunitetit shqiptaro-amerikan, duke mos u kursyer për çështjen kombëtare.
Edhe pse kishte emigruar në vitet e 90’ta në ShBA, Gjonbalaj arriti të ketë njohje dhe miqësi me personalitete të larta të jetës politike, intelektuale dhe vendimmarrëse në hierarkinë udhëheqëse të Amerikës.
Uka ishte menaxher në Kompaninë e famshme “Met Life”. Ai kishte marrë edukimin e lartë në universitetin në Zagreb, për Ekonomi.
Gjonbalaj ishte person që krijoi ura lidhëse ndërmjet udhëheqësve shqiptarë të Kosovës, me senatorë e kongresmenë amerikanë kur nisi lëvizja për çlirimin dhe lirinë e popullit shqiptar të Kosovës.
Ishte një ndër themeluesit e Fondacionit Shqiptar në Amerikë, “Vatra”, nga ku kontribuoi pa u kursyer për çështjen kombëtare edhe në kuptimin financiar.
Pak shqiptarë ka që kishin migruar tej oqeanit për të ndjekur ëndrrën amerikane, Gjonbalaj u kishte dalë krah.
“Emri i tij do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e atyre që e njohë dhe e përjetuan madhështinë e personalitetit të tij”./FolDrejt/