Sot përpara 74 vjetësh u shpall zyrtarisht Republika Popullore e Shqipërisë. Prej 11 janarit 1946 të gjitha vendet e botës do i drejtoheshin Shqipërisë me këtë emër. Në të njëjtën kohë, mbreti Zog u shpall “tiran brutal dhe tradhtar” si dhe personi më i kërkuar nga Sigurimi, informon foldrejt.com. Enver Hoxha, sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste, u shpall kryetar i shtetit.
Shpallja u shoqërua me 101 të shtëna topi dhe dy ditët festime në mbarë vendin.
Oborri Mbretëror e priti vendimin pa ndonjë habi dhe pa shumë protestë, por deklaroi se për shqiptarët ekziston një çështje shumë më serioze sesa forma e regjimit dhe ajo është çështja e integritetit kombëtar e territorial dhe e të drejtave të sovranitetit të popullit.
Pas shpalljes së Republikës, menjëherë nisi puna për hartimin e Kushtetutës. Diskutimi zgjati dy muaj. Propozimet e bëra nga masat e popullit qenë një kontribut i çmbushem në forcimin e përmbajtjes demokratike të saj.
Më 14 mars të vitit 1946 Asambleja miratoi Kushtetutën e re, në bazë të secilës Asambleja u kthye në Kuvend Popullor. Shqipëria defakto ishte shtet vazal i Jugosllavisë së Titos, ashtu siç dy nga pesë themeluesit e Partisë Komuniste ishin jugosllavë.
Republika Popullore e Shqipërisë ishte emërtimi zyrtar i shtetit në Shqipëri deri në 1976. Kushtetuta e 1976-s e ndryshoi në Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, i cili ishte emërtimi zyrtar i vendit nga 1976 deri në 1991./Foldrejt.com