Me rastin e 812 vjetorit të lindjes së Rūmīut, vlen të citojmë një fragment të famshëm nga një prej jetëshkrimeve më të hershme tradicionale të tij. Tregon një myhib i Mevlānës:
Një ditë ishim në bahçen e Ḥusām ed-Dīn Çelebīut me Mevlānën (“zotëriun tonë”: Rūmīun). Ai i kishte futur këmbët e bekuara në përrua dhe po fliste për shkencat hyjnore. Në mes të fjalës së tij, ai nisi të lëvdonte cilësitë e mbretit të fakirëve, Mevlānā Shems ed-Dīn Tabrīzīut. Bedr ud-Dīn Weled myderrizi, një ndër myhibët e tij më të mëdhenj e të arrirë, psherëtiu: “Sa gjynah! Çfarë humbje!”
Mevlānā i tha: “Pse humbje? Ç’gjynah vallë? Ç’ne humbja? Ç’e solli? Ç’do ajo në mesin tonë?” Bedr ud-Dīni u bë me turp dhe uli sytë: “Po vajtoja faktin se kurrë nuk e takova Shems ed-Dīn Tabrīzīun dhe kurrë nuk përfitova nga prania e tij e ndritur. Pikëllimi e pishmani më erdhi nga kjo.”
Mevlānā heshti goxha. Atëherë tha: “Edhe pse nuk ia mbërrite pranisë së Mevlānā Shems ed-Dīnit – Zoti ia madhëroftë emrin – pasha shpirtin e shenjtë të tim eti, ia ke mbërritur dikujt, nga çdo flok i të cilit varen njëqind mijë Shems-i Tabrīzī, secili i shushatur me rrokjen e sirrit të sirrit të tij.” (Aflākī, Menāḳibu’l-ʿārifīn, ed. T. Yazıcı, 2 vëll. [Ankara: Türk Tarih Kurumu Basımevi, 1959–61], ff. 102–3)