Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në ora 13:15, do të shpallet aktgjykimi ndaj ish-ministrit nga Lista Serbe, Ivan Todosijeviq, i cili akuzohet për nxitje të urrejtjes, përçarje, mosdurim kombëtar, racor, fetar apo etnik.
Todosijeviq u dënua me dy vjet burgim në shkallë të parë në fund të vitit 2019 pasi e quajti trillim Masakrën e Reçakut. Veç Themelores, 2 vjetët me burg ia konfirmoi edhe Gjykata e Apelit.
Një ditë pasi doli vendimi i marrë nga dy gjyqtarë shqiptarë dhe një serb, gjyqtarët serbë në veri protestuan duke e ndalur punën.
Pas konfirmimit nga Gjykata e Apelit, avokatët e Todosijeviqit parashtruan ankesë në Gjykatën Supreme. Kolegji i kësaj gjykate vendosi ta kthejë çështjen në rigjykim.
Ish-deputeti i Kuvendit dhe ish-ministri i Pushtetit Lokal u dënua për deklaratën që bëri në Zveçan në përkujtimin e 20 vjetorit të bombardimeve të NATO-s ku tha se Masakra e Reçakut ishte shpikur dhe përdorur si arsye për bombardimet./ Klankosova.tv