Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ka udhëtuar për në Bruksel, ndërsa sot pritet të takohet me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, shkruan Fol Drejt.
Takimi është konfirmuar edhe nga Bashkimi Evropian (BE), ndërsa pritet që të dy krerët e të dy vendeve të Ballkanit të shoqërohen nga Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe emisari i BE-së Miroslav Lajçak.
Josep Borrell pritet t’i takojë fillimisht ndaras Kurtin e Vuçiqin me fillim nga ora 08:00 e mëngjesit në takime ndaras, ndërsa më pas do të ketë edhe takim trepalësh.
“Ne kemi nevojë për deeksalimin e situatës, të ndalojmë së shkuari nga menaxhimi i përhershëm i krizës dhe në vend të kësaj të fillojmë të avancojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shkroi Borrell në llogarinë e tij në Twitter.
Ua kujtojmë se këto takime po realizohen pas tensionesh politike dhe kërcënimeve për destabilizim të situatës nga ana e zyrtarëve serbë, pasi Prishtina zyrtare insiston ta jetësojë marrëveshjen për targa, përkatësisht implementimin e gjobave për të gjithë ata të cilët nuk i kanë shndërruar ato në RKS. /FolDrejt/