Më 24 gusht, ukrainasit festojnë Ditën e Pavarësisë – një festë e madhe kombëtare që shënon shpalljen e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik, më 1991. Këtë vit, festa vjen saktësisht gjashtë muaj pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës.
Festimeve të kësaj ditë të veçantë u janë bashkuar edhe liderët botërore të cilët kanë uruar ditën e pavarësisë së vendit. Presidenti Gitanas Nausėda shpërndau një fotografi të tij me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, në Twitter këtë mëngjes.
“I uroj forcë Zelenskyt dhe Ukrainës që po lufton për liri me guxim, sfidë dhe dinjitet të jashtëzakonshëm”, tha ai. “Lituania është gjithmonë pranë jush.”
Finlanda ka ndjekur shembullin e Lituanisë duke uruar gjithashtu Ukrainën këtë mëngjes.
“Urimet e mia më të sinqerta për Presidentin Zelensky dhe popullin e Ukrainës për Ditën tuaj të Pavarësisë”, tha Niinistö.
“Finlanda është pranë Ukrainës dhe ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë të palëkundur për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Ndërkohë 10 Downing Street është zbukuruar me lule blu dhe të verdha për nder të ditës së pavarësisë së Ukrainës. Kryeministri në largim Boris Johnson pozoi jashtë rezidencës.
Një tjetër komb që ka uruar gjithashtu pavarësinë e Ukrainës është dhe Moldavia.
“Ne admirojmë guximin dhe sfidën e popullit ukrainas – mbrojtës të shtëpisë së tyre dhe luftëtarë për liri, pavarësi dhe demokraci. Jeni frymëzim për brezat që do të vijnë. Ne jemi me ju dhe ju urojmë paqe dhe prosperitet,” tha presidentja Maia Sandu në një mesazh në Twitter./abcnews.al