Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka zhvilluar sot takime të ndara me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, me ç’rast në të dyja takimet e ka konfirmuar mbështetjen amerikane në aspiratat euroatlantike të Kosovës, shkruan Klan Kosova, përcjell Fol Drejt.
Kosovën ai e vizitoi edhe në fund të muajit gusht të këtij viti – pra pa kaluar dy muaj të plotë – ai e zhvillon edhe vizitën tjetër.
Klankosova.tv e ka intervistuar analistin politik, Nexhmedin Spahiun, për ta pyetur se si i sheh këto vizita të shpeshta të diplomatit amerikan.
Sipas Spahiut, vizitat e shpeshta të emisarit amerikan në Kosovë janë presion ndaj Serbisë dhe udhëzime për lidershipin politik të Kosovës.
“Kjo tregon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin me nxitim çështjen e përfundimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, do të thotë çështjen e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë. Thjeshtë janë përpjekje për ta nxituar dialogun dhe për ta çuar atë drejt përfundimit. Nuk do të thotë që marrëveshja është afër, por që Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta çojnë dialogun drejt finales”.
“Pengesë për arritjen e marrëveshjes është mosdakordimi i palëve për pazarin – se çka duhet të japë Kosova në këmbim të marrjes së njohjes nga ana e Serbisë. Në këtë pazar Kosova tenton të blejë njohjen nga Serbia sa më lirë, kurse Serbia ta shesë sa më shtrenjtë”.
“Kosova mendon që autonomia e serbëve të Kosovës që iu është dhënë me planin e Martti Ahtisaarit është e mjaftueshme që Serbia ta japë njohjen. Ndërsa Serbia kërkon që autonomia e serbëve në Kosovë të jetë një ‘Republika Serbska’ sikur në Bosnje e Hercegovinë – pra të ia japë njohjen Kosovën ashtu siç ia ka dhënë Bosnje e Hercegovinës me qëllimin që kur ta njoh [Kosovën] të jetë një shtet jofunksional”.
Ai shton se diplomatët perëndimorë si Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak e kanë thënë troç që autonomia e serbëve në Kosovë nuk mund të shkojë deri në atë shkallë.
“Çështja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës nuk do të duhej të diskutohej sepse nëse Kosova nuk do të ishte e pavarur dhe sovrane, nuk do të bisedohej në raport me Serbinë. Çështja e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës nuk është një gjë që duhet të diskutohet në asnjë kohë dhe asnjë rrethanë”.
“Madje, liderët politikë dhe diplomatët e Kosovës këtë nuk duhet as ta përmendin qoftë edhe në formë pohore. Ta zëmë, nuk duhet të thuhet se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran sepse duke e pohuar këtë, vetë pohimi e bën këtë temë të diskutueshme. Liderët tanë me fjalime dhe veprime duhet të nënkuptojnë që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran”.
Vizitat e shpeshta të Escobarit në Prishtinë, analisti Spahiu i sheh edhe si përpjekje për ta përshpejtuar procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Vizitat e Escobar në Prishtinë kanë të bëjnë me përshpejtimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – thjeshtë të tregohet urgjenca për dialog. Ky është presion ndaj Serbisë. Vizitat e shpeshta të Escobarit në Kosovë janë presion ndaj Serbisë dhe udhëzime për lidershipin politik të Kosovës”.
“Thjeshtë të tregohet se Amerika është e interesuar që Kosova të njihet sa më parë nga Serbia derisa kësaj të fundit i bëhet presion njëkohësisht edhe në Beograd”. klankosova.tv