Madridi ka konfirmuar se do të dërgojë një numër tankesh luftarake Leopard 2 në Ukrainë deri në pranverë, tha mbrëmë ministrja spanjolle i Mbrojtjes, njofton Sky News.
Margarita Robles konfirmoi lajmin menjëherë pasi Gjermania tha se do t’i dhuronte një numër tankesh shtetit të shkatërruar nga lufta dhe do t’i lejonte aleatët të bëjnë të njëjtën gjë.
Berlini ishte përballur me presion të madh për të lejuar kalimin e tankeve të tij në Ukrainë, ndërsa ministrat e Mbrojtjes u mblodhën në Ramstein për bisedime këtë muaj.
Tani, zonja Robles tha se tanket Leopard 2 të stacionuar në bazën ushtarake të Zaragozës do të dërgohen në Ukrainë në muajt e ardhshëm. Ajo nuk konfirmoi një numër të saktë.
“Nuk ka të bëjë vetëm me dërgimin e tankeve, por edhe me trajnimin dhe mirëmbajtjen e ekuipazhit,” tha zonja Robles.
Kuptohet se gjithsej 321 tanke të rënda i janë premtuar Ukrainës deri më tani, nga një numër aleatësh perëndimorë.
Vadym Omelchenko, ambasadori i Ukrainës në Francë, tha të premten: “Që nga sot, shumë vende kanë konfirmuar zyrtarisht marrëveshjen e tyre për të dorëzuar 321 tanke të rënda në Ukrainë.
“Kushtet e dorëzimit ndryshojnë për çdo rast dhe ne kemi nevojë për këtë ndihmë sa më shpejt të jetë e mundur.”
Z. Omelchenko nuk dha një përmbledhje të numrit të tankeve për çdo vend./FolDrejt/