Spanja e ka mposhtur Kosta Rikën me rezultat 7-0 në xhiron e parë në kuadër të Grupit E në Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Spanja ishte dominuese gjatë gjithë takimit dhe arriti t’i konkretizoj rastet më të mira për gol.
Nga Gëzim Olluri – Fol Drejt
Dani Olmo realizoi në minutën e 11-të për epërsinë e spanjollëve, kurse Marco Asensio e dyfishoi epërsinë në minutën e 21-të pas asistimit nga Jordi Alba. Golin e tretë nga pika e bardhë e konkretizoi Ferran Torres në minutën e 31-të. Me rezultat 3-0 për Spanjën u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë ishte sërish Ferran Torres që shënoi në minutën e 52-të, derisa golin e pestë të sfidës e realizoi Gavi në minutën e 75-të. Golin e gjashtë e konkretizoi Carlos Soler në minutën e 90-të, derisa Alvaro Morata realizoi golin e shtatë dhe përfundimtar në minutën e 93-të të takimit.
Në takimin tjetër të Grupit E, Japonia e ka mundur Gjermaninë me rezultat 2-1. Gjermanët realizuan në minutën e 33-të përmes Ilkay Gundogan nga penalltia për epërsinë e tyre. Në pjesën e dytë, pesëmbëdhjetë minuta para përfundimit të ndeshjes japonezët kanë arritur të realizojnë dy gola për tri pikë. Fillimisht rezultatin e barazoi Ritsu Doan në minutën e 75-të, ndërsa golin e dytë e realizoi Takuma Asano në minutën e 83-të.
Më 27 nëntor zhvillohen takimet e xhiros së dytë. Nga ora 11:00 Kosta Rika ballafaqohet me Japoninë, kurse nga ora 20:00 përballen Spanja dhe Gjermania./FolDrejt/