Qeveria e Pedro Sánchez akuzohet për kontroll të centralizuar mbi paranë dhe ekspertët thonë se ndikimi i menjëhershëm ekonomik mund të jetë më i vogël nga sa pritej.
Spanja i ka dërguar Brukselit planin e saj për të shpenzuar 140 miliardë euro nga Fondi i BE-së për rikuperim nga koronavirus. Kjo vjen në një kohë kur qeveria e Pedro Sánchez akuzohet për kontroll të centralizuar mbi paranë dhe ekspertët thonë se ndikimi i menjëhershëm ekonomik mund të jetë më i vogël nga sa pritej.
Përveç 70 miliardë eurove që Madridi planifikon të përdorë midis viteve 2021 dhe 2023, qeveria synon të marrë një shumë ekuivalente nga viti 2024 në 2026. Përveç këtyre, qeveria ka propozuar mbi 100 reforma shoqëruese, raporton Financial Times.
Spanja, e cila ka vuajtur shumë nga pandemia në aspektin njerëzor dhe ekonomik, është një nga vendet që pritet të marrë më shumë nga fondi i rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh.
Këtë javë, administrata e drejtuar nga opozita e Andalucía-s u ankua se, që nga janari, nuk ishte dhënë asnjë informacion nga qeveria qendrore për fondin. Rajoni jugor shpreson të marrë 35 miliardë euro nga fondi 140 miliardë eurosh.
Por, në një intervistë me Financial Times, Reyes Maroto, ministrja e Industrisë dhe Turizmit në Spanjë tha se procesi i planifikimit ishte i hapur dhe u përgjigjet kërkesave të sektorëve.
“Ka pasur një dialog me të gjithë aktorët për të hartuar vizionin që duam për Spanjën”.
Ka disa kohë që qeveria po kritikohet për mungesë transparence në lidhje me tre reformat më të ndjeshme në planin e rimëkëmbjes, duke prekur pensionet, tregun e punës dhe bilancin fiskal të vendit.
Zyrtarë të qeverisë thanë që këtë vit shpresojnë të arrijnë një marrëveshje me sindikatat dhe biznesin mbi reformën e punës dhe atë të pensioneve, por aktualisht rritja ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës marrin përparësi mbi reformën fiskale.