Policia spanjolle po heton një lidhje të mundshme midis dy letra-bombave dërguar ambasadorit të Ukrainës në Madrid dhe një kompanie spanjolle armësh që prodhon raketahedhës dhe ia dhuron ato Kievit, konfirmoi policia të mërkurën vonë.
Në incidentin e parë, një punonjës i ambasadës së Ukrainës në Madrid u plagos kur hapi një letër-bombë drejtuar ambasadorit, duke bërë që Kievi të urdhërojë rritjen e masave të sigurisë në të gjitha ambasadat e tij jashtë vendit.
Letra, e cila mbërriti me postë të rregullt dhe nuk u skanua, shkaktoi një “plagë të vogël” në dorë kur një zyrtar e hapi atë në kopshtin e ambasadës, tha zyrtari i qeverisë spanjolle Mercedes Gonzalez për Telemadrid, transmeton Fol Drejt.
Disa orë më vonë, një kompani e prodhimit të armëve në Zaragoza, në verilindje të Spanjës, mori një paketë të ngjashme, konfirmoi policia.
Përfaqësuesja e qeverisë në Zaragoza, Rosa Serrano, tha në një intervistë për stacionin SER se duket se të dy zarfet kanë të njëjtin dërgues, sepse në anën e pasme të të dyve është shkruar e njëjta adresë e-mail. Serrano tha se pakot erdhën nga Ukraina dhe kjo ishte ajo që lajmëroi kompaninë e armëve, e cila thirri policinë.
Bëhet fjalë për kompaninë Instalaza, prodhuese e raketës C90 që Spanja po ia dhuron Ukrainës.
Pas incidentit të parë, Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba urdhëroi të gjitha ambasadat e Ukrainës jashtë vendit që të rrisin “urgjentisht” sigurinë dhe i bëri thirrje Spanjës të nisë një hetim për sulmin, tha një zëdhënës i ministrisë.
Detektivët po hetojnë ngjarjen, me ndihmën e hetuesve të mjekësisë ligjore dhe inteligjencës, tha policia.
Zona përreth ambasadës është e rrethuar, njoftoi TVE.
Gjykata e Lartë spanjolle ka hapur një hetim për sulmin si një rast i mundshëm terrorizmi, sipas burimeve gjyqësore.
Zona e banimit rreth ambasadës në veriperëndim të Madridit është rrethuar dhe një njësi për asgjësimin e bombave është vendosur në vendngjarje. Zona përreth fabrikës në Zaragoza trajtohet në të njëjtën mënyrë./FolDrejt/