Spanja ka filluar të shqyrtojë mundësinë e shkurtimit të javës së punës, pa ulur pagat, si pjesë e një projekti të vogël pilot, njoftoi transmetuesi shtetëror RTVE, duke cituar Ministrinë e Industrisë.
Projekti do të zgjasë dy vjet dhe nëse rezultatet janë pozitive, masa mund të shtrihet edhe në pjesë të tjera të tregut të punës.
Në Gazetën Zyrtare është bërë e ditur se për atë projekt janë siguruar 10 milionë euro dhe në të mund të marrin pjesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me deri në 249 punëtorë, transmeton Hina.
Shteti do t’u paguajë 150 mijë euro nëse në baza javore ulin numrin e orëve të punës me të paktën 10 për qind për 25 deri në 30 për qind të fuqisë së tyre punëtore, në varësi të madhësisë së kompanisë.
Kompanitë pjesëmarrëse në projekt duhet të paraqesin përmirësime të brendshme organizative në vitin e parë të periudhës provuese, me qëllim përmirësimin e produktivitetit dhe kompensimin e pagave më të larta për orë.
Secilës kompani i lihet mundësia të vendosë nëse do të reduktojë numrin e orëve të punës në ditë apo do të prezantojë një javë pune katërditore./FolDrejt/