“Çfarëdo që të ndodhë, familjeve spanjolle nuk do t’u ndërpritet gazi apo energjia elektrike. Çfarëdo që të ndodhë, Spanja do të mbrojë pozicionin e industrisë spanjolle”, tha ministrja e Mjedisit, Teresa Ribera.
“Çfarëdo që të ndodhë, familjeve spanjolle nuk do t’u ndërpritet gazi apo energjia elektrike. Çfarëdo që të ndodhë, Spanja do të mbrojë pozicionin e industrisë spanjolle”, tha ministrja e Mjedisit, Teresa Ribera, dje në një konferencë për media.
Derisa ajo shprehu “keqardhje të thellë” se Spanja nuk pajtohej me BE-në, ajo kritikoi Brukselin për mungesën e debatit dhe transparencës rreth planit.
Për momentin, propozimi nënkupton vetëm një rekomandim ligjërisht jo-detyrues për vendet anëtare të BE-së për të ulur vullnetarisht konsumin e tyre të gazit.
Megjithatë, zv/presidenti ekzekutiv i Komisionit të BE-së, Frans Timmermans, tha se “nëse situata përkeqësohet” Komisioni Evropian do të jetë në gjendje të kërkojë shkurtime të detyrueshme nga vendet anëtare të BE-së nëse miratohet drafti.
“Spanja ka përmbushur detyrat e saj sa i përket diversifikimit të energjisë. Kjo është bërë vazhdimisht dhe duke paguar një çmim më të lartë se partnerët e tjerë evropianë. Situata e çdo vendi është unike dhe është rezultat i përpjekjeve historike që janë paguar nga konsumatorët”, tha Ribera.
Ribera shpjegoi se Spanja është depoja e rreth një të tretës së të gjithë kapacitetit të depozitimit dhe rafinimit të gazit natyror të lëngshëm të BE-së dhe ka investuar shumë në burimet alternative të energjisë së rinovueshme.
Ajo u ankua se Spanja i ka kërkuar BE-së të përmbushë angazhimet rreth ndërlidhjeve energjetike për dy dekada.
“Pavarësisht kësaj kërkese, ka pasur mosveprim të vazhdueshëm nga ana e BE-së. Prandaj, Gadishulli Iberik është praktikisht një ishull energjik, i cili gjithashtu kufizon aftësitë tona për të ndihmuar vendet e tjera të BE-së”, tha Ribera.
Ajo shtoi se rezervat energjetike të Spanjës janë 80 për qind, krahasuar me rreth 50 për qind me pjesën tjetër të Evropës.
“Ndryshe nga vendet e tjera, ne nuk kemi jetuar mbi mundësitë tona për sa i përket energjisë,” tha ajo.
“Ne duam të ndihmojmë… por duam një debat të sinqertë në vend të imponimit të zgjidhjeve, për të cilat ne mendojmë se nuk janë të drejta apo efektive”, shtoi Ribera.