Qeveria e majtë spanjolle prezantoi sot, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, një projektligj që synon të rrisë peshën e grave në politikë dhe menaxhimin e biznesit dhe të promovojë më tej barazinë gjinore në një nga vendet lider në botë në këtë drejtim.
Sipas Reuters, ligji për përfaqësim të barabartë kërkon të fusë parimin e barazisë së plotë gjinore në listat zgjedhore dhe të vendosë një përfaqësim minimal të grave prej 40 për qind në bordet e drejtorëve të kompanive të mëdha.
“Ne duhet të përdorim 100 për qind të talentit femëror në vendin tonë për të përmirësuar produktivitetin e kompanive dhe për të pasur një rritje më të fortë dhe më të qëndrueshme me kalimin e kohës,” tha ministrja e Ekonomisë Nadia Calvino pas mbledhjes së kabinetit, në të cilin gratë tejkaluan burrat për herë të parë në Spanjë./FolDrejt/