Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski konfirmon se nga incidenti i mbrëmshëm që ndodhi në një dasmë në Reçicë të Vogël, ka qenë i përfshirë një deputet dhe ka pasur dy të lënduar, por duke mos dhënë informacione shtesë, pasi sipas tij atë do e thonë hetimet nga ekspertiza që është bërë mbrëmë.
“Më e rëndësishme është ajo se sa është niveli i vetëdijes publike tek qytetarët lidhur me përdorimin e armës së zjarrit. Festat familjare nuk bëhen që atje dikush të sillet në mënyrë të papërgjegjshme dhe të përdor armën e zjarrit. Unë asnjëherë nuk kam munduar ta kuptoj, por as nuk mundem edhe tani, këtë mënyrë të festës me armë zjarri.
Dihet se ku dhe për çfarë përdoren armët. Megjithatë të shkaktohen nëpër festa incidente të tilla, kjo duhet të jetë një motiv shtesë, që të gjithë së bashku të dërgojmë mesazh për ngritjen e vetëdijes”, ka deklaruar Spasovski.