Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, që po akuzohen nga Gjykata Speciale, nuk kanë pasur mundësi as të komunikojnë me familjarët e tyre, që kanë numra të IPKO-s, tash e disa javë.
Burime të afërta të Periskopit me familjarët e ish-krerëve të UÇK-së bëjnë të ditur që për shkak të disa “problemeve teknike”, siç u kanë thënë, ata që po mbahen në Hagë po e kanë të pamundur komunikimin me numrat e IPKO-s në Kosovë.
Në anën tjetër, Gjykata Speciale ka mohuar se ka mungesë komunikimi mes të akuzuarve dhe familjarëve të tyre.
“Njësia për menaxhimin e mbajtjeve siguron që të gjithë personat e mbajtur do të kenë mjetet për të pasur marrëdhënie personale me anëtarët e familjes dhe të tjerët gjatë kohës sa janë në paraburgim përmes thirrjeve telefonike, vizitave [tash, video-vizitave] dhe korrespondencës. Në mënyrë që të sigurojmë kontakt të kuptimshëm, Regjistri ka autorizuar video-vizita për të siguruar që të Paraburgosurit të kenë mjete shtesë për mbajtjen e kontakteve me familjen. Si shtesë, për të lehtësuar më tej kontaktin, një numër i arsyeshëm thirrjesh telefonike financohet nga Regjistri i KSC-së”, ka thënë nga Gjykata Speciale.
Lidhur me këtë shqetësim të familjarëve të ish-udhëheqësve të UÇK-së, është njoftuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), të cilët Periskopit i kanë thënë se Gjykata Speciale duhet të krijojë mundësi më shumë që të paraburgosurit të komunikojnë më shpesh me familjarët e tyre.
Drejtori i KMDLNJ-së, Behxhet Shala ka thënë se Specialja duhet t’i kompensojë vizitat e humbura të familjarëve për shkak të situatës që është krijuar me pandeminë Covid-19.
Për më tepër, sipas raporteve zyrtare, mbi 270 shtetas të të gjitha vendeve të BE-së janë të punësuar si staf zyrtar i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të cilët çdo ditë kanë kontakte me familjarë të tyre dhe rreth shoqëror, me mundësi infektimi, por këto masa të rrepta praktikohen vetëm për të paraburgosurit, jo edhe për personelin e tyre.
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po akuzohen për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovë me seli në Hagë.
Ata po bëhen rreth shtatë muaj që nuk i kanë takuar familjarët e tyre, ndërsa Salih Mustafa, i cili ishte arrestuar më herët, edhe më gjatë nuk i ka takuar familjarët e vet.