Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) kanë vazhduar masën e paraburgimit për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
Specialja ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit të Thaçit dhe Veselit dhe ka udhëzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të paraqesin parashtresat për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të tyre jo më vonë se 28 korrik 2023, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Ndryshe, në fund të majit ZPS kishte dorëzuar para Gjykatës Speciale parashtresat për shqyrtimin periodik të paraburgimit për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
Në vendimin e Specialet thuhet se trupit gjykues thekson se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se, në bazë të nenit 39(2), ekziston dyshimi i bazuar se Thaçi dhe Veseli janë penalisht përgjegjës për një sërë krimesh kundër njerëzimit (përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë) dhe krime lufte (ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje) sipas neneve 13, 14(1)(c) dhe 16(1)(a).
Tutje në arsyetim të vendimit thuhet se ZPS-ja pohon se njohuritë dhe të kuptuarit e Thaçit dhe Veselit për akuzat dhe provat kundër tyre janë rritur në bazë të zbulimeve të fundit dhe fillimit të gjykimit.
Andaj, sipas tyre, kombinimi i njohurive të Thaçit dhe Veselit lidhur rastin kundër tyre dhe mundësia reale të një dënimi për një kohë të gjatë, duke u bazuar edhe në dënimin me 26 vite burgim të Salih Mustafës, ngrit rrezikun dhe rrit motivin e Thaçit dhe Veselit për të ikur.
Lidhur me këtë, në vendim thuhet se paneli ka shqyrtuar argumentet e ZPS-së, në dritën e fazës aktuale të procedurës, duke ripohuar se nuk gjen ndonjë faktor shtesë mjaftueshëm bindës për të ndryshuar konstatimin e tij të mëparshëm në lidhje me rrezikun e arratisjes.
Ndërkaq, lidhur me rrezikun e pengimit të ecurisë së procedurave të DhSK-së, duke iu referuar gjetjeve të mëparshme të këtij paneli, në vendim thuhet se ZPS-ja thekson se Thaçi dhe Veseli vazhdojnë të paraqesin rrezik të pengimit të procedurave.
Kjo për arsye se sipas ZPS-së ky panel më herët ka përcaktuar se ekziston një klimë e përgjithshme e ndërhyrjes së dëshmitarëve në Kosovë lidhur me këtë rast dhe të tjera para DhSK-së dhe se të akuzuarit kanë marrë informacione lidhur me 40 dëshmitarët e parë që ZPS synon të thërrasë.
Rrjedhimisht, paneli ka konkluduar se rreziku që Thaçi dhe Veseli do të pengojë mbarëvajtjen e procedurës së DhSK-së vazhdon të ekzistojë.
Në vazhdim thuhet se ZPS rikujtoj gjetjet e panelin në vendimin paraprak për paraburgim se të akuzuarit vazhdojnë të paraqesin rrezik për të kryer krime të mëtejshme.
Sipas panelit të njëjtët faktorë që janë marrë parasysh në lidhje me rrezikun e pengimit janë relevant për analizën e rrezikut që Thaçi dhe Veseli të kryejnë krime të mëtejshme.
Kështu që paneli ka konsideruar se asnjë rrethanë e re nuk është shfaqur që nga shqyrtimi i fundit i paraburgimit që do të justifikonte një konstatim të ndryshëm në lidhje me këtë çështje.
Në këto rrethana, nga çka është arsyetuar më lartë dhe dhe faktit se rreziqet e pengimit të procedurës dhe të kryerjes së krimeve të mëtejshme vazhdojnë të ekzistojnë dhe se sipas panelit asnjëra prej të cilave nuk mund të zbutet mjaftueshëm me zbatimin e masave të arsyeshme alternative, paneli ka konstatuar se paraburgimi i Thaçit dhe Veselit për dy muaj të tjerë është e nevojshme dhe e arsyeshme në rrethanat specifike të rastit.
Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.
Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.
Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.
Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.
Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit i nëntë.
Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i njëmbëdhjetë.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.