Që nga fillimi i luftës në Bjellorusi kanë arritur trupat e shumë ushtarëve rusë të vdekur dhe të plagosur në Ukrainë, por shumica e zyrtarëve dhe e mjekëve refuzojnë të flasin hapur për shifra dhe detaje specifike.
Qëkurse forcat ruse pushtuan Ukrainën më 24 shkurt, Ministria ruse e Mbrojtjes ka raportuar për humbje ushtarake vetëm një herë. Më 2 mars ajo tha se ishin vrarë 498 ushtarë dhe ishin plagosur 1,597 të tjerë. Zyrtarët ukrainas thonë se nga pala ruse ka pasur të paktën 14,200 të vdekur. Ndoshta asnjëra palë nuk thotë të vërtetën.
Por sipas njoftimeve të mediave bjelloruse dhe kanaleve në Telegram shumë ushtarë rusë të plagosur po sillen në Bjellorusi ku marrin trajtimin e parë mjekësor përpara se të transportohen për në Rusi.
Madje edhe presidenti bjellorus Alexander Lukashenko tha pesë ditë pas fillimit të luftës, se në qytetet Gomel, Mazyr dhe në një qytet tjetër bjellorus ishin trajtuar rreth 160 dhe 170 ushtarë rusë.
Ushtarë të rinj nga rajone të varfra të Rusisë
Katër burime thanë për DW se në këto qytete jugore të Bjellorusisë kishte ushtarë rusë. Po ashtu ata thanë se në Narovlya, jo shumë larg kufirit me Ukrainën, ishte ngritur edhe një spital fushor. Një burim tha për DW se shumë ushtarë të plagosur që kanë arritur në Mazyr kishin humbur “krahë, këmbë, veshë apo sytë”. Ata thanë se disa kishin arritur me shumë vonesë dhe se u kishte filluar gangrenizimi i gjymtyrëve.
Burimi tha se disa nga të plagosurit nuk kishin ngrënë prej pesë ditësh, dhe se kur mbërritën ishin të çorientuar dhe donin të telefononin me prindërit e tyre: “Fjala është për ushtarë që kanë lindur në vitin 2003. Ata vijnë nga rajone të varfra të Rusisë dje janë në thelb ende fëmijë.”
Një burim tjetër që nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në sektorin e kujdesit shëndetësor, por i informuar mirë për situatën tha se në një spital në rajonin e Gomel, kryhen “pa ndërprerje operacione”, deri në 50 çdo natë. Burimi tha se shpesh kirurgëve u duhet t’u presin ushtarëve rusë gjymtyrët. “Spitali është plot”, tha burimi, duke kërkuar që vendndodhja e spitalit të mos bëhet publike.
Spitalet nën kontroll të rreptë nga shërbimet sekrete
Shumë mjekë të kontaktuar nga DW refuzuan të flisnin në lidhje me trajtimin mjekësor të ushtarëve rusë. Dy burime thanë se mjekëve u duhej të nënshkruanin një marrëveshje për të mos folur.
Fondacioni Bjellorus i Solidaritetit Mjekësor konfirmoi se të gjitha spitalet janë nën kontroll të rreptë. “Në spitale ka mjaft punonjës të KGB-së ose FSB-së. Të gjitha ndërtesat e spitaleve janë nën mbikëqyrje. Shumë mjekë bjellorusë, që mendohet se mund të kenë treguar diçka për çfarë po ndodh në spitale, janë zëvendësuar me mjekë rusë,” tha një zëdhënës, duke shtuar se shumë mjekë dhe punonjës të spitaleve kanë frikë të flasin për ato që kishin parë ose bërë.
Disa persona thanë për DW se trupat e ushtarëve të vdekur rusë transportohen nga Ukraina në Bjellorusi. Edhe zëdhënësi i Fondacionit Bjellorus të Solidaritetit Mjekësor tha se spitalet në Bjellorusi janë të mbingarkuar duke shtuar se ka edhe shumë ushtarë të vdekur. Megjithatë askush nuk mund të jepte një shifër të saktë./DW/