Departamenti i Shëndetësisë në Britaninë e Madhe ka njoftuar se 204 persona kanë vdekur nga koronavirusi, duke e çuar në 40,465 numrin e përgjithshëm të viktimave.
Nga kjo shifër, 75 raste fatale u regjistruan në Angli, dhjetë në Uells, gjashtë në Skoci dhe një në Irlandën Veriore, ndërsa 112 raste të tjera janë shënuar në shtëpitë e të moshuarve dhe në vende të tjera.
Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara janë dy vendet e vetme që e kanë kaluar shifrën e 40 mijë viktimave të Covid-19, shkruan “Metro UK”.
Megjithatë, shifra e vërtetë besohet të jetë shumë më e madhe pasi qeveria i regjistron vetëm vdekjet e personave që janë ndarë nga jeta pasi të kenë dalë pozitivë për Covid-19.
Në bazë të të dhënave të Zyrës për Statistika Kombëtare, në Britaninë e Madhe janë mbi 50,000 viktima të koronavirusit.
Qeveria britanike ka filluar t’i largojë masat kufizuese, të cilat ishin vendosur me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit. Nga 15 qershori do të rihapen dyqanet e produkteve jo-esenciale, me kusht që të respektohen rregullat e distancimit social.