Ish-zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe koordinatori i ndihmave humanitare për Irakun, diplomati gjerman Hans von Sponeck tha se rendi aktual botëror në të cilin respektohet i forti dhe jo ai që ka të drejtë, nuk mund të vazhdohet për njerëzit.
Sponeck mori pjesë në TRT World Forum i cili u mbajt javën e kaluar dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarit të Anadolu lidhur me sulmet e Izraelit ndaj Gazës dhe vazhdimin e rendit botëror. Ai theksoi se rendi botëror i ngritur mbi pandëshkueshmëri, ku i forti ka arritur në pozicionin e atij që ka të drejtë, nuk mund të jetë i vazhdueshëm (qëndrueshëm) dhe ka nevojë për reformë.
“Nuk mund të shkelin rregullat dhe të qëndrojnë pa u ndëshkuar, duhet të japin llogari”
Sponeck tërhoqi vëmendjen mbi qëndrimet e ndryshme të qeverive në Evropë dhe të grupeve të shoqërisë civile rreth sulmeve të Izraelit kundër Gazës. Ai dha shembullin e Gjermanisë ku ka dalë në pah mendimi se qeveria ka thënë se “Duhet të mbështesim Izraelin” dhe se opozitarët kanë deklaruar se “Nuk e pranojmë sjelljen e Izraelit në Gaza dhe në Bregun Perëndimor”.
Për vendin e tij dhe luftërat e ndodhura në pozita të ndryshme gjeografike të botës si Iraku, Sponeck tha: “Kam parë efektet e shkatërrimit se si u shkatërruan jetët e njerëzve”.
Ai nënvizoi se qeveritë duhet të kuptojnë “të drejtën ndërkombëtare” të cilën janë të detyruar ta respektojnë. “Nuk mund të shkelin rregullat dhe të qëndrojnë pa u ndëshkuar, duhet të japin llogari. Duhet të ketë llogaridhënie për ata. Kam frikë se qeveritë e Evropës nuk tregojnë përpjekje të mjaftueshme për të qenë të sigurt se po qëndrojnë në anën e drejtë të historisë”, tha Sponeck.
Sponeck kritikoi qëndrimin e shteteve në anën e Izraelit teksa popujt në Evropë protestojnë në mbështetje të Palestinës dhe theksoi se e konsideron të papranueshme përpjekjen e tyre për të penguar mbështetjen për Palestinën.
“Në regjimet demokratike të gjithë duhet të kenë të drejtën të shprehin qëndrimin e tyre”, tha Sponeck, i cili pasi shpjegoi se për sa kohë që nuk përdorin dhunë të gjithë duhet të shprehin mendimet e tyre qofshin ato palestinezë, gjermanë apo nga ndonjë popull tjetër. Më tej ai shtoi se “ky është parimi themelor i një shteti që pretendon se qeveriset me demokraci”.
“OKB-ja duhet t’i nënshtrohet reformës në nivel politik”
Sponeck kritikoi strukturën e OKB-së dhe bëri thirrje për reformimin e saj.
Duke potencuar se OKB-ja ka “shumë fytyra”, Sponeck tha: “OKB-ja ka një fytyrë politike, një fytyrë ligjore dhe një fytyrë gjyqësore. OKB-ja ka një fytyrë ekzekutive. Ka organizata humanitare që me mbështetjen e Türkiye-s ndihmojnë në Ukrainë, Gaza dhe në vende të tjera. Por, OKB-ja duhet t’i nënshtrohet reformës në nivel politik për të parandaluar që vendet të bien në një situatë të tillë si në Gaza. Kjo tashmë nuk duhet të jetë më e mundur”.
Lidhur me rendin aktual botëror Sponeck tha: “Rendi aktual botëror që kemi, nuk mund të vazhdohet për njerëzit. Nuk duhet të kemi një botë ku mund të vazhdojmë me pandëshkueshmëri, ku fillohet një luftë dhe nuk merr asnjë ndëshkim, ku nuk jepet asnjë llogari. Sepse mendoni që respektohet i forti dhe jo ai që ka të drejtë”.
“Pranimi i të fortit si i drejtë është gabim themelor i sistemit që duhet eliminuar”, tha ish-zëvendës sekretari i OKB-së, Sponeck i cili shtoi se në sistemin aktual ligji ndërkombëtar shkelet madje duke iu referuar ligjit ndërkombëtar dhe kjo mbetet pa ndëshkim.
“Duhet të kemi llogaridhënie. Duhet të marrim përgjegjësi duke lavdëruar njerëzit që bëjnë gjëra të mira dhe duke i ndihmuar ata. Duhet të jemi në gjendje të ndëshkojmë ata që shkelin ligjin”, tha Sponeck.