Nuk ka shkruar për Kosovën si gazetare, por është interesuar të lexojë kur vendosi të ikë nga lufta në Ukrainë.
Lyudmila Makey tashmë është akomoduar në Prishtinë. Kjo është e para gazetare, nga 20 gjithsej, që po strehohet në Kosovë për shkak të agresionit rus.
Ukrainasja thotë se po buzëqesh për herë të parë pas një kohe të gjatë përjetimesh të rënda në vendlindje, ndaras familjes.
“Fillova pastaj të lexoja lajme, por s’mund të besoja, mendoja që ishte ëndërr. Por, jam gëzuar që dëgjova se të gjithë të afërmit e mi ishin gjallë”, u shpreh ajo sot në konferencën për media.
Sipas saj, zona e luftës në Ukrainë është bërë e vështirë për gazetarë, njofton Klan Kosova.
“Që nga fillimi i luftës, më shumë se 21 gazetarë kanë vdekur nga duart e rusëve, jo vetëm ukrainas. Më shumë se 20 kolegë të mi janë zhdukur në Mariupol. Gazetarët kërcënohen, shantazhohen e dhunohen të afërmit e tyre”, shtoi ajo.
Makeyt do t’i ofrohet hapësirë pune në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, sikurse edhe 19 gazetarëve tjerë, nëpër media tjera kosovare. Këta do të mbështeten financiarisht nga qeveria për të paktën 6 muaj, që kushton 150 mijë euro gjithsej.
Federata Evropiane e Gazetarëve ka thënë se edhe shtetet tjera duhet ta ndjekin shembullin e Kosovës për strehim të gazetarëve ukrainas.