Aktori 73-vjeçar, Sylvester Stallone, kishte luajtur krahas yjeve Wesley Snipes dhe Sandra Bullock, në filmin fantastik-shkencor të vitit 1993, “Demolition Man”. Dhe tani ai e ka konfirmuar lajmin se është duke punuar në vazhdimin e shumëpritur të këtij projekti
Duke iu përgjigjur adhuruesve në Instagram, Stallone i pyetur nëse do të ketë ndonjë vazhdim të filmit “Demolition Man”, tha: “Mendoj se një vazhdim i dytë është duke ardhur së shpejti. Aktualisht jemi duke punuar rreth këtij projekti me studion ‘Warner Bros’, dhe gjërat po duken shumë mirë. Prandaj, po, mund ta konfirmoj se ky film do të realizohet së shpejti.”
Ende nuk dihen detaje shtesë rreth këtij vazhdimi, por fansat tashmë kanë filluar ta shfaqin entuziazmin e tyre rreth realizimit të tij, transmeton Koha.
Në filmin e parë “Demolition Man”, Stallone e luante rolin e policit të Departamentit policor së Los Angelesit, John Spartan, i cili e organizon një sulm të paautorizuar ndaj kriminelit të famshëm, Simon Phoenix, që në film portretizohet nga Wesley Snipes, dhe i cili është përgjegjës për vdekjen e disa pengjeve. Pas kësaj ngjarjeje Spartan burgoset bashkë me armikun e tij Phoenix. Më pas ngjarja zhvendoset në vitin 2032, ku dyshja përballet sërish me njëri-tjetrin, por kësaj radhe në një botë ku nuk ka krime. Kështu, Spartan me ndihmën e polices Lenina Huxley, e portretizuar në film nga Sandra Bullock, mundohen ta burgosin të keqin Phoenix, pasi policia e asaj kohe nuk do si të ballafaqohet me një kriminel aq të rrezikshëm.
Nuk dihet se çfarë teme do të trajtojë filmi i dytë, por duke qenë se i takon zhanrit fanta-shkencë, me teknologjinë e përparuar me të cilën punon sot Hollywoodi, besohet se do të përfshije skena të mahnitshme.
Lajmi për vazhdimin e dytë të filmit hit, “Demolition Man”, vjen pasi Stallone së fundmi e konfirmoi lajmin se do të luajë në filmin “Little America”, një projekt i zhanrit fanta-shkencë dhe aksion, ngjarja e së cilit zë vend në një të ardhme dystopiane.
Në këtë projekt aktori i njohur e portretizon një ish-ushtar, i cili angazhohet nga një miliarder aziatik për ta gjetur vajzën e tij në të ardhmen dystopiane, ku Amerika është shndërruar në shtet të bankrotuar dhe në zonë të rrezikshme luftë.
Xhirimet e filmit “Little America” ishin planifikuar të fillojnë gjatë kësaj vere, por ka gjasa që ato të shtyhen për shkak të pandemisë së vazhdueshme të koronavirusit.