Stambolli është një rrëfim që ta mbanë vëmendjen e mbërthyer gjatë gjithë kohës. Me peizazhe të mahnitshme, me gjallërinë që s’pran veçmas gjatë stinëve të ngrohta, me historinë e tij të pasur, me ngjyrat e bukura të natyrës, me njerëzit dhe kafshët që jetojnë në një paqe dhe harmoni që s’mund ta hasësh gjithkund. Me një fjalë, Stambolli është një rrëmujë, një rrëmujë e bukur…
Shkruan: Imer Topanica
Qëkur aeroplani ateroi në njërën nga dhjetëra (apo ndoshta qindra), pistat e aeroportit (më 6 qershor 2022), ndër më të mëdhenjtë në botë, kryeqyteti perandorak më ka befasuar vazhdimisht. Në Stamboll po vija si pjesëmarrës në programin: Rrjeti Rajonal për Diversitetin Kulturor – READ. Nikoqir ishte Organizata kulturore Kalem, e cila ndër të tjera organizon edhe Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë në Stamboll (ITEF).
PJESA E PARË: “MBIJETESA”
Si një bashkëshort dhe prind i tre fëmijëve, nuk kam pasur eksperiencë aq të madhe për sa i përket gatimit. Njohuritë e mia përfundonin te lyerja e fetave të bukës me krem, gjalpë e të ngjashme, përkatësisht te hapja konservave dhe përdorimi i ushqimeve që përmbanin ato. Megjithatë, duke qenë se e kisha në dispozicion një apartament të tërë, të pajisur mirë me të gjitha almiset e kuzhinës, i provova një nga një, duke i dhënë të drejtë vetës edhe të eksperimentoja (meqë nuk kishte asnjë zë qortues, të më udhëzonte, apo të ma tërhiqte vëmendjen!).
Kështu, shpejt u bëra ekspert i fërgimit dhe zierjes së vezëve. Kuptova ndërkohë që gatimi i fasules dhe përgatitja e çorbës me patate, nënkupton tjetër nivel. Dëshmitare janë enët që vuajtën nga nxirjet prej tymi, mjaft shpesh. Por hapësira e kuzhinës filloi të më dukej një vend interesant. E shihja nga një tjetër këndvështrim. Shkurt, nuk kisha qenë në dijeni që idetë, shpesh më kreative, vijnë ndërsa gatuan, apo lanë enët! Sidoqoftë, këtë le të ma demantojnë gratë dhe burrat që kanë më shumë përvojë në këtë pikë…
Qetësia në shtëpi, qe po ashtu një shoqëruese me të cilën mu desh të mësohem. Nuk i kisha vogëlushët e mi pranë, nuk e kisha familjet time dhe shih, pikërisht kjo atmosferë më mungonte. Mua kurrë nuk më kanë penguar ambientet e zhurmshme, për të menduar rreth ndonjë vargu a ideje të hajrit. Të jemi të qartë, t’i artikulosh idetë nëpërmjet shkrimit, sidomos nëse bëhet fjalë për zhanrin e prozës, natyrisht që kërkohet një çik hapësirë dhe qetësi, por dua të them, ato më të bukurat e më origjinalet, vijnë të ndërshkëmbyera brenda një ambienti plot gjallëri. Ndaj viteve të fundit, i kam përçmuar idenë për “kullën e fildishtë”, të paktën në përmasën që perceptohen nga komunitetet artistike në Kosovë. Disa madje shkojnë aq larg sa e lexojnë definicionin mbi të, në mënyrë literale. Konsiderojnë që shkëputja e shkrimtarit nga zhvillimet e përditshme sociale e politike, është domosdoshmëri. Veç tjerash, ky budallallëk i ka çuar në izolim disa nga institucionet më qenësore të shoqërisë. Nejse, është një ndër shkaqet, meqë shumë prej “intelektualëve” të mëhallës, ia kanë pasur edhe frikën politikës, ndoshta meqë shumë prej tyre janë shantazhuar, pasi, siç thotë populli: janë kapur me “pelë përdore!”
PJESA E DYTË: ShKRIMI
Njëra prej rregullave bazike të zanatit të shkrimtarit (nuk jam duke e menduar veten në këtë rast, sepse nuk e di nëse e kam fituar këtë status), është ta mësosh fshirjen e gabimeve, fjalëve, fjalive e mbase edhe paragrafëve të pavend. Ndonjëherë ky rregull duhet të vlej edhe për artikuj të tërë të qëndisur keq, me nguti, e të pa shije, të cilët rrezikojnë të ua “ftohin supën” lexuesve të njëmendët. Gazetari a shkrimtari me përvojë, që korrë njëfarë suksesi në karrierë, nxjerr në dritën e publikimit, vetëm një sasi të vogël nga tërë volumi i asaj që shkruan, meqë pjesa tjetër për destinacion përfundimtar ka koshin e mbeturinave. Siç na e përcjellë miku ynë Salih Kabashi në një rrëfenjë, një herë Vislava Szymborska (1923 – 2012) ishte pyetur se pse gjatë gjithë karrierës së saj si poete kishte shkruar vetëm 350 poezi, dhe ajo ishte përgjigjur në mënyrë brilante:
«Sepse unë kam një shportë në shtëpi!»
Këtë mësim, më është krijuar përshtypja, e kam përvetësuar bukur mirë, por mbase më duhet ende punë.
Një muaj, natyrisht, nuk i mjafton askujt që ta shkruaj një libër, por unë kisha dy dorëshkrime të lëna pas dore, me të cilat u mora gjatë gjithë kohës. Më ndihmuan shumë, sidomos, sugjerimet dhe këshillat e mikut tim Gazmend Bërlajolli. Redaktori i të gjithë librave të mi të publikuar deri më tani (dhe shpresoj edhe i atyre të cilët do të botohen në të ardhmen), ia ka dalë në mënyrë brilante të nxjerr në shesh, anën më të mirë të krijimtarisë sime, ndaj i jam falënderues përjetë. Ai për mua është më shumë se sa një Gertrude Stein.
Por çka përmbajnë përmbledhjet? Disa poezi e tregime të përfshira në to, veç janë publikuar nëpër revista e antologji në gjuhën shqipe, e madje edhe janë të përkthyera në gjuhën angleze e serbokroate. Pjesa tjetër e materies, ose është ripërpunuar ose është shkruar gjatë qëndrimit tim në rezidencën e Kadiköy-t në Stamboll. Kaq mund të them për sa i përket përmbajtjes.
Për ata që më njohin, unë nuk jam aq njeri sistematik. Në ditët e zakonshme, shkruaj përditë, por jo letërsi. Shkruaj kryesisht artikuj publicistikë. Fiksion, pak më vështirë… Prandaj në një intervistë të cilën e realizuam për ‘skenën e ITEF-it’, ku i pranishëm ishte edhe poeti Adrian Zalla ndërsa takimin e moderoi vet drejtori i ITEF-it z. Mehmet Demirtaş, ndër të tjera thash që: ne nuk e gjejmë rrugën për tek poezia, po në realitet, ajo e gjen rrugën për tek zemrat dhe mendjet tona.
Thash po ashtu se për shkrimtarin që vepron në një mjedis ballkanik, për ta prekur njëfarë suksesi, nuk mjafton vetëm shkrimi i një vepre me vlerë, por edhe i një morie veprimesh të cilat, në kushte normale, nuk do të duhej t’i ngarkoheshin si barrë atij. Konteksti socio-kulturor është një terren i vështirë, sidomos kur e marrim me mend që komuniteti i lexuesve është i vogël, ndërsa i atyre të letërsisë është edhe më i rrudhur. Libraritë në Prishtinë e Tiranë, në vitrinat e tyre kryesore vënë në reklamë vepra autorësh ndërkombëtarë dhe rrallë të ndonjë autori vendor, përveç nëse bëhet fjalë për Kadarenë. Shtoja kësaj faktin që letërsia të cilën autori i këtij mjedisi, duhet të konkurrojë me spektaklet e kota televizive, me broçkullat e pashije që notojnë hapësirave virtuale dhe sidomos me fenomenin “e prapanicave”, fjala vjen, të Kardashianeve, që ua turbullojnë vëmendjen të rinjve e të rejave, që potencialisht do të mund t’u takonin armatave të lexuesve të së tashmes, situata është edhe më e pashpresë.
Në këtë kontekst, vepra letrare nuk është mediumi i vetëm, ndaj përballet me kaq shumë vështirësi.
PJESA E TRETË: ShPËTIMI (apo sa më ndihmoi programi READ, përkatësisht rezidenca në Stamboll)
Për një njeri që e do dhe e kupton konceptin e lirisë, Stambolli është një referencë ideale për të. Besimtarë të të gjitha konfesioneve, muslimanë, katolikë, hebrenj, budistë, ateistë, qejfli, artistë, hipokritë, të kamur, të varfër, optimistë, skeptikë, turistë nga e gjithë bota dhe sidomos qytetarë turq me zemër të madhe, gjejnë strehë në të.
Kishat katolike, protestante, sinagogat e xhamitë, vegjetojnë të patrazuara skaj rrugëve rrëmujën e lirë të qytetarëve, që derdhet rrugëve e shesheve të tij çdo ditë deri në orët e vona të mbrëmjeve.
Hasa, përgjatë bredhjeve të mia, grupe amatore këngëtarësh që grumbullonin rreth vetes mjaft dashamirë të muzikës, duke iu dhënë atyre hapësirave gjallëri. Madje jo vetëm muzikë popullore turke, por edhe arabe, angleze, e ndonjëherë edhe klasike. Këtë lloj gjallërie heterogjene ngjyrash, racash e idesh, vështirë mund ta hasësh në ndonjë vend tjetër të botës.
Qentë dhe macet, sidomos në Kadiköy dremisin të patrazuara nëpër cepat e trotuareve. Më ka fascinuar mënyra se si kujdesën banorët e këtij qyteti për këto kafshë. Të merremi vesh, jo domosdo ato janë “prona private” të tyre, sepse, kujdesi ndaj tyre, në këtë rast, do të ishte gjë normale, por bëhej fjalë për kafshë që bridhnin të lira, të cilave iu sigurohej ujë dhe ushqim i bollshëm. Duke qenë të ngopur, qentë – sidomos, nuk ishin agresivë ndaj kalimtarëve, një panoramë krejt tjetër në krahasim me Prishtinën.
Prandaj në këtë atmosferë të cilën në krye të herës e cilësova si të rrëmujshme dhe të bukur, s’kisha si t’i shpëtoja frymëzimit. Ai erdhi dhe më mbajti të mbërthyer përgjatë gjithë ditëve që qëndrova në Stamboll.
Pastaj, të mos harrojmë, gjurmët e shqiptarëve të hershëm si arkitekt Mimar Sinani (më duket që dëshmitë për identitetin e tij shqiptar nuk janë aq të qëndrueshme), mendimtarit dhe shkrimtarit Shemsedin Sami Frashëri, poetit Mehmet Akif Ersoy dhe qindra të tjerëve, janë aq të pranishme në këtë qytet të bukur e të madh. Po të mos na e fshinte kujtesën komunizmi, sot do t’ua njihnim veprën qindra autorëve me origjinë shqiptare, të cilët jetuan dhe vepruan në kohët më të lavdishme të Perandorisë Osmane.
Që të mos iu hyjmë në hak historianëve të zotë, sepse të dobët kemi edhe në akademitë tona, unë i gjeta këto gjurmë nëpër sokakët e Stambollit.
ITEF-i dhe vetë festivali që organizohet këtu në Stamboll, janë një mundësi e jashtëzakonshme për shkrimtarët e vendeve ballkanike, meqë i bashkon me një rrjet ndërkombëtarë artistësh, editorësh e botuesish nga e gjithë bota. Unë bëra përpjekje që ta shfrytëzoja këtë mundësi… nuk e di nëse ia kam dalë mbanë. Tani më falni se nga kuzhina po vije erë patatesh të djegura…