Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi sot Kinën që të mos furnizojë Rusinë me armë vdekjeprurëse, pas takimit të liderëve të dy vendeve në Moskë.
“Ne nuk kemi parë asnjë provë që Kina po furnizon Rusinë me armë vdekjeprurëse, por kemi parë disa shenja se kjo ishte një kërkesë e Rusisë dhe se kjo është një çështje që po shqyrtohet nga autoritetet kineze në Pekin. Kina nuk duhet të ofrojë ndihmë vdekjeprurëse për Rusinë, kjo do të nënkuptonte mbështetjen e një lufte të paligjshme”, tha Stoltenberg.
Sekretari i Aleancës vuri në dukje se NATO-ja nuk e konsideron të mundur që të ketë një dialog kuptimplotë me Rusinë tani dhe shtoi se nuk e sheh mundësinë e kontakteve të tilla derisa lufta në Ukrainë të vazhdojë./FolDrejt/