Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka dhënë mbështetje ndaj qëndrimit politik të paraqitur nga Turqia e cila kundërshton aplikimet e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO, kryesisht për shkak të mbështetjes që këto dy vende kanë dhënë për elementët e organizatës terroriste PKK/PYD.
Në përgatitje për të vizituar Madridin më 30 maj për të zhvilluar takime para samitit që NATO do të zhvillojë në fund të qershorit në Spanjë, Stoltenberg ka folur për mediat spanjolle, shkruan AA, transmeton Fol drejt.
“Asnjë vend nuk ka vuajtur nga sulmet terroriste aq sa Turqia”, tha Stoltenberg duke shtuar se “Turqia është një aleat i rëndësishëm dhe kur një aleat ka shqetësime kjo duhet të diskutohet dhe problemi duhet të zgjidhet. Kjo kështu ka qenë gjithmonë. Edhe anëtarësimi i Republikës Maqedonisë së Veriut zgjati për më shumë se 10 vite nga vetoja e Greqisë për shkak të problemit me emrin, por ajo u zgjidh”.
Duke kundërshtuar përpjekjet e gazetarëve spanjollë për të identifikuar kurdët me organizatën terroriste PKK, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, tha: “Po flisni për kurdët, por duhet të pranojmë se ka disa grupe kurde dhe se PKK ndodhet në listën e organizatave terroriste të Bashkimit Evropian. Dhe nuk ka ndonjë ndryshim nëse ato ndodhen në Suedi ose në Finlandë”.
“Suedia dhe Finlanda mund të marrin pjesë si vende të ftuara në Samitin e NATO-s që do mbahet në Madrid, por nëse nuk u përgjigjen kërkesave të Turqisë para 28 qershorit, do të jetë e vështirë të plotësojnë dëshirën e tyre për t’u bërë vend kandidat”, deklaroi Stoltenberg duke potencuar më tej se “Objektivi im është të ketë një proces të shpejtë dhe kemi ende kohë për këtë”./FolDrejt/