Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka falënderuar Turqinë për mbështetjen e dhënë ndaj zgjatjes së marrëveshjes së Grurit të Detit të Zi, shkruan Al Jazeera, përcjell Fol Drejt.
Stoltenberg tha në Samitin e Grurit nga Ukraina se ai pa anijet me grurë në ngushticën e Stambollit kur u takua me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. “Ata po marrin ushqim, drithë dhe plehra nga portet e Ukrainës për njerëzit që kanë nevojë urgjente”, shtoi ai, duke përshëndetur përpjekjet e aleatëve të NATO-s dhe BE-së për të marrë furnizimet që të lëvizin nga Ukraina drejt vendeve tjera.
Stoltenberg foli gjithashtu për tragjedinë “e tmerrshme” të Holodomorit që vrau miliona ukrainas 90 vjet më parë. “Sot, Rusia po përdor urinë si një armë lufte kundër Ukrainës. Dhe po synon të krijojë ndarje dhe paqëndrueshmëri të mëtejshme midis pjesës tjetër të botës,” tha Stoltenberg. /FolDrejt/