Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në Beograd, ka diskutuar tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe rëndësinë e misionit paqeruajtës të KFOR-it me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Për dy dekada, KFOR-i ka garantuar një mjedis të sigurt në Kosovë për të gjitha komunitetet. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së. Në Maj, forcat tona të KFOR-it u sulmuan, 93 prej tyre u plagosën, disa pësuan lëndime që ndryshojnë jetën. Në shtator, ne pamë një shpërthim tjetër dhune në Kosovë dhe kjo është e papranueshme. Ata që e bënë këtë duhet të dalin para drejtësisë. Ne vërtet e mirëpresim faktin që Serbia është e gatshme të bashkëpunojë në këto përpjekje”, tha Stoltenberg.
Ai kujtoi gjithashtu se aleanca e NATO-s dërgoi trupa shtesë në Kosovë pas dhunës.
“Pas kësaj dhune, NATO vendosi një mijë ushtarë shtesë dhe armë të rënda në Kosovë. Ky ishte përforcimi më i fuqishëm dhe më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në dekadën e kaluar dhe tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen dhe mirëpret koordinimin e ngushtë mes ushtrisë serbe dhe KFOR-it”, tha Stoltenberg.
Ai theksoi se të gjitha palët duhet të ulin tensionet dhe të përmbahen nga përshkallëzimi i veprimeve.
“Siç i thashë presidentit Vuçiq, grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe pranë vijës kufitare nuk do ta ndihmonte situatën dhe unë vërtet e mirëpres dhe mbështes formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, si çelës për normalizimin e marrëdhënieve. Ftoj Beogradin dhe Prishtinën që të angazhohen në dialog nën patronazhin e Bashkimit Evropian. Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të përhershëm”, tha kreu i NATO-s.
Ai theksoi se gjatë takimit është biseduar edhe për mundësinë e rifillimit të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Serbinë, si dhe për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.
Kreu i NATO-s filloi turneun në Ballkan të dielën në Sarajevë, ku u takua me zyrtarë të Bosnje e Hercegovinës. Dje ai ka vizituar Kosovën, ndërsa sot përpos Serbisë, do të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut.
– “Ku dhe si e vendosim ushtrinë, është puna jonë”
Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me NATO-n dhe me KFOR-in, “me shpresën se do të sigurojmë sadopak siguri për popullin serb” në Kosovë.
Sipas tij, KFOR-i ka garantuar paqen dhe sigurinë në Kosovë vetëm për serbët, duke shtuar se vetëm serbët kanë qenë të sulmuar në Kosovë.
Lidhur me ndodhitë në veri të Kosovës, Vuçiq u shpreh se “kemi një pikëpamje të ndryshme për atë që ka ndodhur, por ne e kuptojmë shumë mirë se cilat janë kërkesat e Perëndimit dhe cilat janë kërkesat e NATO-s”.
“Sa i përket Ushtrisë Serbe, ajo i ka kryer detyrat e saj në mënyrë profesionale, asnjëherë nuk i ka tejkaluar të drejtat e saj, kompetencat e saj, gjithmonë ka pasur marrëdhënie korrekte me KFOR-in dhe NATO-n. Ku dhe si do ta dërgojmë ushtrinë tonë, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe ligjet e këtij vendi dhe duke mos rrezikuar askënd në asnjë mënyrë, kjo është puna jonë”, tha Vuçiq.
Ai theksoi se Serbia është ushtarakisht neutrale dhe do të mbetet e tillë.