“Nga Rusia nuk kemi parë ndonjë veprim për uljen e tensioneve në terren”, theksoi Stoltenberg, i cili shtoi se përkundrazi Rusia vazhdon të rrisë grumbullimin e saj ushtarak.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se nuk kanë parë që Rusia të tërheqë forcat e saj përreth Ukrainës, përkundrazi grumbullimi ushtarak rus vazhdon dhe pavarësisht kësaj janë me “optimizëm të kujdesshëm” për shkak të mesazheve të ardhura dje nga Moska, shkruan AA.
Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s u mblodhën në selinë e NATO-s në Bruksel për të diskutuar mbi çështje të ndryshme si tensionet në rritje pas grumbullimit që Rusia ka bërë në kufirin me Ukrainën si dhe për të diskutuar kryesisht sigurinë e Evropës dhe rritjen e pranisë ushtarake të aleancës në Evropën Lindore dhe Juglindore.
Stoltenberg bëri një deklaratë për gazetarët përpara takimit dyditorë të ministrave të Mbrojtjes së NATO-s, ku Turqia do të përfaqësohet nga ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar.
“Nga Rusia nuk kemi parë ndonjë veprim për uljen e tensioneve në terren”, theksoi Stoltenberg, i cili shtoi se përkundrazi Rusia vazhdon të rrisë grumbullimin e saj ushtarak, transmeton Fol Drejt.
Ai potencoi se NATO nuk ka marrë ende përgjigje për letrën që përmban thirrje për dialog ndaj Rusisë. Stoltenberg tha se NATO ka përsëritur thirrjen e saj për dialog por që janë të përgatitur për “situatën më të keqe” dhe se Rusia do të paguajë një çmim të rëndë nëse pushton Ukrainën.
Në lidhje me deklaratën e bërë dje nga Rusia për tërheqjen e ushtarëve të saj, Stoltenberg tha: “Shenjat dhe mesazhet që morëm dje nga Moska sigurojnë bazë për një optimizëm të kujdesshëm. Ky ishte një mesazh diplomacie dhe ne jemi të gatshëm për bisedime diplomatike me Rusinë. Këtë e kemi thënë shpesh herë, por në të njëjtën kohë nuk kemi parë tërheqjen e forcave ruse”.
“Kjo situatë është në kundërshtim me mesazhet diplomatike. Tërheqja e Rusisë duhet të shihet. Po ndjekim nga afër ato që po bën Rusia brenda dhe përreth Ukrainës. Ajo që shohim është se ajo ka rritur numrin e ushtarëve dhe se më shumë ushtarë janë në rrugë”, tha kreu i NATO-s.
Stoltenberg tha se Rusia po i mban forcat në lëvizje, i cili pas pyetjes lidhur me pamjet ku tanket ruse ngarkohen në trena, ai tha se këto pamje nuk tregojnë një tërheqje të vërtetë.
Sipas tij, Rusia vazhdon të mbajë praninë e saj ushtarake në rajon, gjë e cila do ta lejojë atë të pushtojë Ukrainën pa dhënë asnjë afat paralajmërimi./FolDrejt/