Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i tha CNN se presidenti rus Vladimir Putin ka nënvlerësuar rezistencën e Ukrainës dhe unitetin e aleancës ushtarake të NATO-s.
“Ai [Putini] ka bërë një gabim të madh; ai nënvlerësoi totalisht fuqinë e forcave të armatosura ukrainase, guximin e lidershipit dhe popullit ukrainas, dhe ai gjithashtu nënvlerësoi unitetin e NATO-s dhe partnerëve në ofrimin e mbështetjes për Ukrainën,” tha Stoltenberg.
Duke folur nga samiti i NATO-s në Madrid, Stoltenberg tha se Putini kishte dështuar në arritjen e objektivave të tij kur ishte fjala për dobësimin e aleancës së NATO-s, raporton abcnews.al.
“Një nga mesazhet e tij kryesore në fillim të kësaj lufte ishte se ai donte një NATO më të dobët. Ai në fakt propozoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për të mos pasur zgjerim të mëtejshëm të NATO-s. Ajo që ai po merr tani është zgjerimi i NATO-s me anëtarë të rinj duke përfshirë Finlandën në kufi me Rusinë, gjë që në fakt ndryshon kufirin e NATO-s me Rusinë”, tha ai.
“Kjo nuk do të thotë se ne nuk e shohim me seriozitet vështirësitë me të cilat po përballet Ukraina në Donbas”, tha Stoltenberg.
Stoltenberg tha se NATO po injoron retorikën e Putinit dhe se aleanca do ta “vlerësojë atë për veprimet që bën”.
“Ajo që ai bën në Ukrainë është një shkelje brutale e ligjit ndërkombëtar. Është një luftë që ka çuar në shumë viktima civile, civilë të vrarë dhe humbje të mëdha”, tha ai.
Arritjet në samitin e NATO-s në Madrid janë një “fitore” për aleancën ushtarake, sipas Stoltenberg.
“Është një fitore për NATO-n që ne kemi demonstruar edhe një herë unitetin dhe aftësinë tonë për të ndryshuar, për t’u përshtatur kur bota po ndryshon,” tha shefi i NATO-s.
“Ne jetojmë në një botë ku shohim përdorim brutal të forcës kundër një fqinji të ngushtë të NATO-ssi Ukraina dhe kjo është arsyeja pse ne kemi rritur ndjeshëm dhe do të rrisim më tej praninë tonë në pjesën lindore të aleancës për të minimizuar çdo hapësirë për llogaritje të gabuara apo keqkuptime në Moskë rreth gatishmërisë sonë për të mbrojtur të gjithë aleatët”, tha ai. /abcnews.al/