Gjermania ka humbur popullaritetin si destinacion për migrantët me kualifikime të larta, sipërmarrësit dhe bizneset fillestare nga jashtë, tregoi një studim ndërkombëtar i publikuar sot.
Praktikat hezituese të natyralizimit në Gjermani dhe digjitalizimi i ngadaltë kanë qenë ndër arsyet e përmendura nga studimi, i kryer nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) në bashkëpunim me Fondacionin gjerman Bertelsmann, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në lidhje me këto gjetje, eksperti i migracionit Ulrich Kober tha për të përditshmen lokale Welt se Gjermania mbetet “vend i hapur dhe tërheqës për imigracionin e personave të kualifikuar”.
“Por ka nevojë për veprim kur bëhet fjalë për lëshimin e vizave, digjitalizimin, natyralizimin ose trajtimin e diversitetit”, shtoi Kober, i cili punon për fondacionin Bertelsmann Stiftung.
Sipas ekspertit, fluksi i ulët i punëtorëve të kualifikuar nga vendet e treta dhe hezitimi i kompanive për të rekrutuar jashtë vendit janë dëshmi e kësaj.
Vetëm kur bëhet fjalë për studentët ndërkombëtarë, Gjermania zë një pozicion të lartë, menjëherë pas SHBA-së dhe përpara Britanisë, Norvegjisë dhe Australisë.
Bertelsmann Stiftung shpjegoi se kjo është për shkak të universiteteve gjermane me cilësi të lartë, kostove më të ulëta dhe mundësive të mira për të punuar dhe qëndruar gjatë dhe pas studimeve.
Si pjesë e studimit, kushtet që tërheqin migrantë të kualifikuar janë ekzaminuar për të 38 vendet anëtare në bashkëpunim me OECD-në.
Këto parametra përfshijnë cilësinë e mundësive profesionale, të ardhurat, taksat, mundësitë për anëtarët e familjes dhe cilësinë e jetës. Sipas rezultateve, Gjermania ka zbritur për tri renditje në vendin e 15-të për profesionistët me kualifikim të lartë nga jashtë në krahasim me një studim të mëparshëm nga viti 2019.
Qeveria gjermane planifikon të prezantojë një sistem të ri imigrimi të bazuar në pikë deri në fund të vitit 2023, i ngjashëm me modelin kanadez, i cili lejon qytetarët e mirëkualifikuar jashtë BE-së të hyjnë në vend për të kërkuar punë.
Ajo synon gjithashtu të thjeshtojë procedurat administrative për njohjen e kualifikimeve profesionale të imigrantëve dhe lehtësimin për të sjellë anëtarët e familjes.
Qeveria e koalicionit të majtë-liberal planifikon të përfundojë punën për ndryshimet legjislative në javët e ardhshme dhe t’i paraqesë ato në parlament për miratim në gjysmën e parë të vitit 2023./FolDrejt/