Qindra fluturime u anuluan në provincën Guangdong të Kinës dhe Hong Kong pasi supertajfuni Saola arriti në tokë të premten, duke detyruar autoritetet të lëshojnë paralajmërime për stuhi të rënda dhe të mbyllin bizneset, shkollat dhe tregjet financiare.
Tre stuhi tropikale u formuan në veriperëndim të Oqeanit Paqësor dhe në Detin e Kinës Jugore. Saola dhe Haikui tashmë janë cilësuar si tajfunë, ndërsa Kirogi, më i largu nga toka, ende klasifikohet si një stuhi tropikale, sipas parashikimeve të motit.
Saola po lëviz drejt bregut të Guangdong lindor me erëra mbi 200 kilometra në orë.
Saola mund të jetë një nga pesë tajfunet më të fortë që kanë goditur Guangdong që nga viti 1949, thanë autoritetet kineze të enjten.
Saola mund të arrijë në tokë të premten mbrëma ose të shtunën në mëngjes si një tajfun i fortë përgjatë bregut nga Huidong në Taishan në Guangdong, tha Qendra Kombëtare Meteorologjike e Kinës. Hong Kongu dhe Macau fqinjë shtrihen në qendër të atij bregdeti.
Të gjitha shkollat në Hong Kong do të mbyllen të premten, edhe pse supozohej të ishte dita e parë e shkollës për shumë nxënës, tha qeveria.
Qytetet e afërta të Shenzhen dhe Guangzhou kanë mbyllur gjithashtu shkollat, ndërsa qendra e teknologjisë e Shenzhen shkoi një hap më tej, duke pezulluar biznesin që nga e premtja pasdite.
Qindra fluturime u anuluan në aeroportet Hong Kong, Zhuhai dhe Shenzhen.
Autoritetet e Guangdong pezulluan trafikun e trenave drejt dhe nga provinca nga ora 20:00 me orën lokale të së premtes deri në orën 18:00 sipas kohës lokale të së shtunës.
Ndërkohë, tajfuni Haikui po i afrohet Tajvanit dhe pritet të arrijë në pjesën veriore të ishullit të dielën përpara se të niset drejt qytetit juglindor kinez të Fuzhou, tha Zyra Qendrore Meteorologjike e Tajvanit./FolDrejt/