Një polic dhe një demonstrues humbën jetën sot në protestat kundër ndërhyrjes së ushtrisë më 25 tetor 2021 dhe vendimeve të saj pasuese, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Me thirrjen e Komiteteve të Rezistencës, mijëra protestues që bëjnë thirrje për vendosjen e qeverisë civile dolën sot në rrugë në kryeqytetin Kartum dhe në disa qytete të tjera.
Protestuesit marshuan drejt Pallatit Presidencial, duke brohoritur parulla kundër grushtit të shtetit dhe duke kërkuar që qeverisja t’u dorëzohet civilëve sa më shpejt të jetë e mundur.
Ndërkaq, policia sudaneze shpërndau demonstruesit me gaz lotsjellës dhe bomba zhurmuese.
Si pasojë e ndërhyrjes së policisë, dhjetëra protestues janë prekur nga gazi.
Sipas një deklarate të Komitetit të Mjekëve, një protestues u vra nga plumbat e vërtetë në qytetin Bahri, në veri të kryeqytetit Kartum.
Ndërkaq, policia po ashtu njoftoi se një polic ka humbur jetën.
Ndryshe, gjithsej 64 persona kanë humbur jetën dhe qindra janë plagosur në protestat që vazhdojnë që prej 25 tetorit 2021.
Kryeministri Abdullah Hamduk, i cili u rikthye në detyrë për të formuar një qeveri teknokrate pas ndërhyrjes ushtarake më 25 tetor në Sudan, dorëzoi dorëheqjen e tij më 2 janar për shkak të pamundësisë për të zgjidhur krizën politike në vend dhe mosmarrëveshjeve me ushtrinë.
Kombet e Bashkuara dhe Autoriteti Ndërqeveritar i Zhvillimit të bllokut të Afrikës Lindore (IGAD) nisën iniciativa më 10 dhe 11 janar respektivisht, për zgjidhjen e krizës politike.