Suficiti tregtar i jashtëm i Rusisë në vitin 2022 ka kaluar 330 miliardë dollarë, falë rritjes së eksporteve dhe çmimeve të larta të naftës në tregjet botërore, njoftoi Drejtoria doganore e këtij vendi, përcjell Fol Drejt.
Vitin e kaluar, eksportet ruse u rritën me 20 për qind, në 591,5 miliardë dollarë, ndërsa importet u ulën me 12 për qind, në 259,1 miliardë dollarë, dhe suficiti në tregtinë e jashtme ishte 68 për qind më i lartë se në vitin 2021 dhe arriti në 332, 4 miliardë dollarë, sipas njoftimit.
Falë çmimeve të larta, të ardhurat ruse nga shitja e naftës së papërpunuar dhe derivateve të naftës u rritën me 42 për qind vitin e kaluar, pavarësisht sanksioneve perëndimore që kufizuan më së shumti importet ruse.
Për të reduktuar fondet e Rusisë për luftën në Ukrainë, G7 dhe partnerët e saj, përfshirë BE-në, i kufizuan çmimet e naftës ruse në 60 dollarë për fuçi në fund të vitit të kaluar dhe kërcënuan me sanksione ndaj kompanive të sigurimit dhe pronarëve të anijeve nëse sigurojnë dhe transportojnë naftë që është më e shtrenjtë.
Importet ruse u reduktuan pas vendosjes së sanksioneve, por ndërkohë pothuajse janë kthyer në nivelin e paraluftës, pjesërisht për shkak të dërgesave “gri” përmes vendeve të treta. /FolDrejt/