Faqet e internetit të disa organeve qeveritare të Ukrainës dhe bankave të mëdha u vunë në shënjestër të një sulmi kibernetik.
Pati një “sulm të fuqishëm DDOS ndaj disa burimeve të informacionit të Ukrainës duke filluar nga e marta pasdite”, thuhet në një deklaratë të Shërbimit Shtetëror të Komunikimit Special dhe Mbrojtjes së Informacionit të Ukrainës.
Në deklaratë thuhet se në shënjestër ishin faqet e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë ukrainase, së bashku me shërbimet e internetit të Privatbank dhe Oschadbank, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Faqet e internetit të bankave u hapën përsëri mbrëmë, thuhet në deklaratë, duke shtuar se “një grup ekspertësh po merr të gjitha masat e nevojshme për të lokalizuar dhe për t’i rezistuar sulmit kibernetik”.
Sulmi kibernetik vjen mes tensioneve të rritura midis Rusisë dhe Ukrainës, me ç’rast disa vende perëndimore pretendojnë se Moska është e gatshme të pushtojë fqinjin e saj ish-sovjetik.
Moska ka mohuar se po përgatitet për pushtimin e Ukrainës dhe ka thënë se trupat e saj janë atje për stërvitje.
Dje, Kremlini njoftoi se disa nga trupat e tij po ktheheshin në baza pas përfundimit të stërvitjeve pranë kufirit ukrainas.
Megjithatë, SHBA thotë se ende nuk e kanë përcaktuar vërtetësinë e pretendimit të Moskës për tërheqjen e trupave nga kufiri.