Sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës vazhdojnë e marrin jetë njerëzish. Prej 8 ditësh që vazhdon lufta mes dy vendeve kanë mbetur të vrarë disa viktima, mes tyre edhe shumë fëmijë dhe sportistë.
Një lajm i trishtë ka ardhur edhe ditën e sotme. Trajneri i Kombëtares Ukrainase të Çiklizmit, Aleksander Kulik është vrarë nga rusët, ka mbetur i vrarë derisa ishte duke u munduar t’i ndihmonte qytetarët afër qytetit Suma që të evakuoheshin dhe të shpëtonin nga bombardimet e agresorit rus.
“Ne i shprehim ngushëllime familjes”, ka shkruar Federata Ukrainase e Çiklizmit, e cila ka mbetur e tronditur me lajmin. Edhe Unioni Evropian i Ciklizmit ka mbetur i tronditur nga ky lajm.
“Trajneri i nderit i Ukrainës ka ndërruar jetë derisa po mundohej t’i evakuonte civilët. Mendimet dhe lutjet tona janë për familjen e tij, miqtë dhe për Federatën Ukrainase të Çiklizmit, por edhe presidentit të saj, Andriy Hrivko”, shkruan në profilin zyrtar.
Kulik është personi i katërt nga bota e sportit ukrainas që vritet brenda pak ditësh. Të martën ishte vrarë 19 vjeçari Yevhen Malyshev, i cili e kishte përfaqësuar Ukrainën për të rinj në sportin e biatlonit. Gjithashtu, në këtë luftë u vranë edhe dy futbollistë ukrainas, Vitaliy Sapyło e Dima Martynenko. Aleksander Kulik ishte babai i çiklistit lider të Ukrainës, Andriy Grivko. 32-vjeçari ishte kampion i Ukrainës para më pak se tre vjetësh dhe sigurisht se sugjerimet i ka marrë nga babai i tij tashmë i ndjerë. /abcnews.al