Gjermania regjistroi një numër rekord sulmesh kundër gazetarëve në vitin 2022, tregojnë të dhënat zyrtare, raporton AA, transmeton Fol Drejt.
Policia regjistroi 320 vepra penale të kryera ndaj punonjësve të medias vitin e kaluar, ndër to 46 sulme të dhunshme, 41 kërcënime dhe 31 raste me dëmtim të pronës.
Ministria e Brendshme publikoi shifrat në përgjigje të një pyetjeje parlamentare nga Partia e Majtë.
Shumë gazetarë u kërcënuan ose u sulmuan gjatë raportimit për demonstratat e së djathtës ekstreme ose grupeve të tjera ekstremiste.
Më shumë se 60 sulme të tilla u regjistruan gjatë protestave kundër bllokimeve dhe kufizimeve të vendosura shkaku i COVID-19.
Shoqatat e gazetarëve gjermanë kanë kërkuar prej kohësh masa më të mira sigurie dhe mbrojtje si dhe kanë kritikuar autoritetet për mos hetimin e plotë të sulmeve kundër gazetarëve.
Ekspertët thonë se shifrat aktuale për sulmet, kërcënimet dhe fyerjet ndaj gazetarëve mund të jenë shumë më të larta, pasi shumë prej tyre nuk janë hetuar siç duhet apo nuk janë regjistruar në statistikat zyrtare.
Në vitin 2021 kishte 276 sulme të dokumentuara kundër gazetarëve në Gjermani ndërsa 260 incidente u regjistruan në vitin 2020.
Policia kishte raportuar 104 sulme të tilla në vitin 2019 dhe 93 raste në vitin 2018./FolDrejt/