Operatori i vetëm i rrjetit të energjisë në Ukrainë ka njoftuar se ndërprerjet e energjisë elektrike u zbatuan në rajone të shumta derisa përgatitjet për të stabilizuar furnizimin me energji janë dëmtuar nga sulmet e fundit ruse me dronë dhe raketa.
Kompania ‘Ukrenergo’ njoftoi se njerëzit përreth dhe brenda kryeqytetit Kiev, si dhe në rajonet Chernihiv, Cherkasy, Zhytomyr, Sumy, Kharkiv dhe Poltava janë pa energji elektrike që nga ora 6 e mëngjesit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas kompanisë, kufizimet e konsumit janë të nevojshme për të reduktuar ngarkesën në rrjet, për të siguruar balancimin e qëndrueshëm të rrjetit të energjisë dhe për të shmangur aksidentet e përsëritura.
Dje, presidenti Volodymyr Zelenskyy në një takim me komisionerin e Bashkimit Evropian (BE) për Energjinë, Kadri Simson, tha se 40 për qind e infrastrukturës energjetike të Ukrainës është dëmtuar seriozisht që kur Rusia filloi “operacionin e saj special” në muajin shkurt.
Përshkallëzimi i fundit konsiderohet si një hakmarrje e dukshme për atë që Moska pretendoi se ishte një sulm ukrainas në flotën e saj të Detit të Zi dhe në urën që lidh Krimenë me Rusinë.
“Fatkeqësisht, për shkak të goditjeve të raketave dhe dronëve kamikaze nga Federata Ruse në sistemin tonë energjetik, ne e kemi pezulluar këtë proces”, tha Zelenskyy, duke iu referuar eksportit të energjisë elektrike të Ukrainës në Evropë.
Më 20 tetor, Kievi tha se do të ulë konsumin e energjisë në të gjithë vendin me 20 për qind për shkak të prodhimit më të ulët nga objektet e dëmtuara të energjisë./FolDrejt/