Këshilltarja e posaçme e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Libinë, Stephanie Williams, ka dënuar sulmin në Dhomën e Përfaqësuesve (parlament) në Libinë lindore.
“Trazirat dhe aktet e vandalizmit si sulmi në selinë e Dhomës së Përfaqësuesve të premten vonë në Tobruk janë plotësisht të papranueshme”, shkroi Williams në twitter, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ajo shtoi se është absolutisht jetike që të ruhet qetësia, të demonstrohet lidershipi i përgjegjshëm libian dhe të ushtrohet vetëpërmbajtja nga të gjithë.
Më tej, zyrtarja e OKB-së bëri thirrje për respektimin e “të drejtës së popullit për protesta paqësore”.
Të premten, protestuesit sulmuan ambientet e Dhomës së Përfaqësuesve me bazë në Tobruk dhe i vunë flakën mes protestave në disa qytete libiane që kërkonin shfuqizimin e organeve legjislative dhe ekzekutive, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve sa më parë.
Libia është rrënuar nga trazira dhe ndarje që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011.
Bisedimet e sponsorizuara nga OKB-ja ndërmjet rivalëve libianë për të rënë dakord mbi një kornizë kushtetuese për të mbajtur zgjedhjet e shumëpritura janë bllokuar.
Libianët ende presin që zgjedhjet të zhvillohen me shpresën se votimi do të kontribuojë në përfundimin e konfliktit të armatosur shumëvjeçar në vendin e pasur me naftë./FolDrejt/