20 persona raportohet se janë plagosur në metronë e Nju Jorkut gjatë së mërkurës.
Ngjarja e rëndë ndodhi kur një person shtiu me armë në drejtim të njerëzve.
E në vendin e ngjarjes kishte qenë një i ri shqiptar.
Fitim Gjeloshi ka folur për mediet vendase, duke treguar se autorin e kishte pasur fare pranë.
Gjeloshi tha se i dyshuari të parin e kishte qëlluar atë por fatmirësisht plumbi s’e kishte kapur.
“Personi ngjitur me mua u plagos e po kërkonte ndihmë. Autori nisi të godasë dhe të tjerët. Unë isha me fat. E gjitha qe një çmenduri. U tremba për vdekje,” tha shqiptari.
I riu shqiptar shtoi se i dyshuari, në momentin para se të niste sulmin, kishte folur me vete.
“E pashë dhe mendova. Ky nuk mund të jetë në rregull. Duhet të jetë i droguar. Ne patëm një ndalesë të shkurtër rreth 5 minuta. Ai papritmas nxori një maskë kundër gazit dhe hapi një bombole. Më pas nxori nga çanta një sëpatë, e la atë dhe e mori pushkën”.
Autori ende nuk është kapur, shkruan New York Post, përcjell Klankosova.tv.
Autoritetet dyshojnë se revolja e tij Glock nëntë milimetra kishte ngecur, kështu duke u parandaluar një tragjedi që do të mund të kishte pasoja edhe më të mëdha.
Në kërkim ende është 62-vjeçari Frank R James, si i dyshuar për ngjarjen e rëndë.
Ai më parë kishte postuar video shqetësuese në rrjet, ku fliste me indinjatë për të pastrehët dhe për kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams.
Një çmim prej 50 mijë dollarësh është ofruar për atë që ofron të dhëna, të cilat mund të çojnë në arrestimin e sulmuesit.