Gjatë ditës së djeshme një ngjarje e rëndë dhe e jashtëzakonshme ndodhi në veri të Kosovës.
Nga kjo ngjarje, rreshteri Afrim Bunjaku, u vra në orët e hershme të mëngjesit, shkruan Fol Drejt.
Për dallim nga çdo herë tjetër një gjë që ra në sy të publikut ishte uniteti politik, ku pozitë e opozitë dënuan sulmin në veri, duke i tejkaluar mospajtimet politike dhe duke qenë bashkë përpara një beteje të rrezikshme për shtetin e Kosovës.
E para që bëri thirrje për unitet është presidentja e vendit, Vjosa Osmani
“…Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë.
Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë.
Si Presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës”, u shpreh Osmani në një komunikatë për media.
Nga reagimet e liderëve, duke filluar nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, pataj liderët e opozitës, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku e Ramush Haradinaj nuk pati diçka më shumë se mbështetje në mbrojtjen e sovranitetit të vendit.
Ju sjellim më poshtë deklarimet e tyre të plota:
Albin Kurti:
Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjskë të Zveçanit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.
Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve.
Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur.
Memli Krasniqi:
Jam i tronditur nga lajmi për vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe plagosjen e një tjetri, sot në pjesën veriore të Kosovës. I shpreh ngushëllimet më të thella familjes së policit të rënë në detyrë, ndërsa policit të plagosur i uroj shërim sa më të shpejtë.
Sot, në këtë moment të dhembjes, qëndrojmë të bashkuar në përkrahje të policëve tanë, të cilët, përkundër sfidave ditore e sulmeve të bandave kriminale të kontrolluara nga Beogradi, po mbrojnë sovranitetin shtetëror në pjesën veriore të shtetit tonë.
Ftoj të gjithë që ta dënojnë fuqishëm këtë sulm kriminal kundër Policisë së Kosovës, që është sulm direkt kundër shtetit të Kosovës. Kërkoj nga organet përgjegjëse që hetimet e plota të bëhen sa më shpejt dhe përgjegjësit të sillen para drejtësise për të marrë dënimet meritore.
Në të njëjtën kohë, apeloj tek të gjithë qytetarët për vigjilencë e vetëpërmbajtje, sepse përshkallëzimi i situatës në veriun e vendit tonë i konvenon vetëm Serbisë dhe bandave kriminale nën kontrollin e saj. Po ashtu, ftoj partnerët ndërkombëtarë të Kosovës që të dënojnë qartë sulmin dhe t’i kërkojnë Serbisë urgjentisht ndalimin e ndërhyrjeve në territorin e Kosovës dhe provokimit të mëtejmë të situatës.
Lumir Abdixhiku:
Sulmi terrorist ndaj Policisës së Kosovës dhe vrasja e një polici në detyrë, janë sulme ndaj Republikës së Kosovës dhe vet rendit Kushtetues.
Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shprehi ngushëllimet më të thella familjes së policit të vrarë. Policit të plagosur, Alban Rashiti, ndërsa i uroj shërim të shpejtë.
Në këto momente të vështira për vendin, të gjithë jemi me Policinë e Kosovës. Jemi me djemtë e vajzat tona në detyrë në veri. Sulmet e bandave kriminale e terroriste me adresë nga Beogradi s’mund ta zmbrapsin Kosovën nga e drejta për vendosje të rendit, ligjshmërisë e vet sovranitetit. Institucionet e rendit e drejtësisë të sjellin autorët e këtij krimi sa më parë para drejtësisë.
Në këto momente të vështira, Kosovës i duhen miq e aleatë. Me ta, bashkë, do të kapërcejmë secilën sfidë.
Ramush Haradinaj:
I tronditur nga vrasja e pjesëtarit të Policisë së Kosovës dhe plagosja, e cila ndodhi në orët e hershme të mengjesit në fshatin Banjskë të Zveçanit!
Ky sulm terrorist është goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon! Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë.
Ftoj organet tona të rendit për bashkërendim të veprimeve me KFOR dhe aleatët tanë të sigurisë të prirë nga Amerika, dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta zbardhur gjithë këtë situatë dhe për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e këtij akti. Rendi dhe ligji s’ka alternativë!
Ngushëllime për familjen e policit që humbi jetën dhe shërim të shpejtë për policin e plagosur!
/FolDrejt/